Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, e ka vazhduar kontratën me kampionin e Italisë, Napolin. Me kontratën e re, mbrojtësi i qendrës do të jetë te napolitanët deri në vitin 2029.
Kështu ka mësuar të mërkurën KOHA nga burime të afërta me lojtarin.
“Amiri e ka vazhduar kontratën deri në vitin 2029 me Napolin. Zyrtarizmi nga klubi do të bëhet në ditët në vijim. Por marrëveshja tashmë është arritur, firma është vendosur dhe ai është i lumtur. Ka pasur oferta nga Arabia Saudite, Turqia dhe klube të Premier Leagues angleze. Por dëshira e tij ishte të mbetet te Napoli”, ka thënë burimi i KOHËS.
Në Itali është raportuar se me kontratë të re, Rrahmani do t’i fitojë 3.8 milionë euro në vit.
Bisedimet për vazhdimin e kontratës ndërmjet Rrahmanit dhe Napolit kishin nisur nga vera e vitit të kaluar.
Prej klubeve të interesuara ishte edhe Tottenhami. Por prishtinasi i qëndroi besnik Napolit.
Rrahmani zuri vend në ekipin më të mirë të Serie A në edicionin e kaluar, 2024/2025. Ai e udhëhoqi mbrojtjen e Napolit që e fitoi titullin e kampionit të Italisë.
Dhe vazhdon të jetë pjesë vendimtare e repartit defanziv të kësaj skuadre.
Napoli sërish është në garë për titull të kampionit në Itali.
Një pjesë të zhvillimit si lojtar, Rrahmani e ka bërë në Kosovë. Ka luajtur për Kosovën e Prishtinës, Ramiz Sadikun dhe Drenicën. Pas periudhës në Kosovë, vazhdoi karrierën në Shqipëri te Partizani i Tiranës. Në Kroaci ishte te Spliti e Dinamo Zagrebi, ndërsa një periudhë ishte i huazuar te Lokomotiva e Zagrebit.
Para se t’i bashkohej Napolit në vitin 2020, 31-vjeçari luajti shkurt në Hellas Verona. Me Napolin e fitoi titullin edhe në edicionin 2022/2023, ndërsa në fund të vitit të kaluar fitoi Superkupën e Italisë. Ishte prej më të mirëve në finale.
Dy tituj i ka fituar edhe me Dinamon në Kroaci.
Së fundi Amir Rrahmani e fitoi çmimin “Fadil Vokrri”, që i ndahet lojtarit më të mirë të përfaqësueses së Kosovës.
Rrahmani merr rregullisht lëvdata nga trajneri Antonio Conte. Edhe mediumet italiane e shfaqin kosovarin si shtyllë të Napolit.
Në fundjavë shënoi golin e parë këtë edicion me fanellën e Napolit. Ai ka luajtur dhjetë ndeshje deri tash. Por i mungoi ekipit në dhjetë ndeshje për shkak të lëndimit muskulor në duelin e Kosovës ndaj Zvicrës.
Ishte mungesë e madhe për Napolin e po ashtu Kosovën, me të cilën në mars do të ketë ndeshje shumë të rëndësishme.
Më 26 mars Kosova luan kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Rrahmani do ta udhëheqë si kapiten Kosovën në atë sfidë historike.