Futboll

“Zahir Pajaziti” rritet në kategori dhe ulëse, mbulohet e ndriçohet

Stadiumi

Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë aktualisht plotëson kriteret e kategorisë së dytë, përkatësisht që klubet kosovare t’i organizojnë ndeshjet kualifikuese për garat evropiane.

Por pas gjashtë muajsh stadiumi në Podujevë pritet të bëhet i kategorisë së tretë. Punimet nisin të enjten.

Kështu ka njoftuar Komuna e Podujevës të mërkurën.

Në njoftimin e Komunës thuhet se të enjten do të vendoset “gur themeli për ndërtimin e tribunave dhe vënien e ndriçimit në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’”.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka dhënë më shumë detaje. Projekti kushton 2 milionë euro, ndërsa do të punohet në ndërtimin e tribunës lindore, mbulimin e tërësishëm të tribunave dhe vendosjen e reflektorëve sipas standardeve të UEFA-s.

Batatina ka theksuar se stadiumi do t’i ketë 5.500 ulëse.

“Sipas projektit të paraparë, punimet përfundojnë për gjashtë muaj. Do të ndërtohet edhe tribuna në lindje dhe do të jetë tërësisht i mbuluar e po ashtu edhe me reflektorë. Nuk do të ketë më ndeshje të Llapit nga ora 13:00. Ndeshjet do t’i luajmë në mbrëmje, nga ora 20:00. Stadiumi është i kategorisë së dytë, por pasi të përfundojnë të gjitha punët, stadiumi do të jetë i kategorisë tre, ku do të mund të organizojmë ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës”, ka thënë Batatina për KOHËN të mërkurën.

Në stadiumin ku Llapi luan si vendës vite më parë u bën investime në tribunat aktuale, ndërsa u bë edhe përmirësimi i fushës.

Në “Zahir Pajaziti” janë luajtur disa ndeshje të rangjeve më të ulëta evropiane. Ka luajtur edhe përfaqësuesja U21. Por përfaqësuesja A për futbollistë mund të luajë vetëm në stadium të kategorisë së katërt.

Më herët është njoftuar se do të investohen 11 milionë euro për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës e po ashtu punime po zhvillohen në stadiumin e qytetit të Gjilanit. Punime po bëhen edhe në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe shumë objekte të tjera sportive.