Futboll

Ylli i Sllovakisë: Kosova ka kualitet

Martin Dubravka

Martin Dubravka është portieri i parë i Sllovakisë dhe një prej yjeve të kësaj përfaqësuese. Dubravka është pjesë e Burnleyt në Premier League, ndërsa ka karrierë të pasur. 36-vjeçari ka luajtur kohë të gjatë për Newcastle Unitedin. Ishte edhe te Manchester Unitedi, ndërsa Sparta Praga, Slovan Libereci, Esbjergu dhe Zhilina janë skuadrat tjera të Dubravkas.

Ai pritet të jetë në portën e Sllovakisë më 26 mars në ndeshjen ndaj Kosovës, që është gjysmëfinale e plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.

Në një intervistë që është publikuar në faqen zyrtare të federatës sllovake, Dubravka ka folur edhe për Kosovën.

“Mendoj se Kosova ka kualitetin e saj. Rezultatet në kualifikime dëshmojnë këtë. Gjithsesi ne kemi synime të mëdha dhe duam të avancojnë në Kampionat Botëror”, ka thënë Dubravka.

Kosova apo Sllovakia do të luajnë si nikoqire më 31 mars ndaj Turqisë apo Rumanisë në finale të plejofit. Fituesi i finales kualifikohet në Botëror.

Fituesja e këtij plejofi në Botëror do të jetë në grup me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë.

“Grupi është shumë interesant. Besoj se do të jemi të suksesshëm në plejof dhe që do të jemi në gjendje të përballemi me këto përfaqësuese”, ka theksuar Dubravka.

Për ndeshjen me Kosovën ka folur edhe Tomash Bobçek, që po paraqitet me sukses për Lechia Gdansk në Poloni.

Bobçek është 24-vjeçar.

“Nuk e njoh shumë këtë kundërshtare, por fakti që ka arritur në plejof dëshmon mjaftueshëm. Për disa muaj trajnerët tanë përfundimisht do ta ‘lexojnë’ Kosovën mirë, në mënyrë që në mars të jemi më të mirë dhe të avancojmë tutje”, ka thënë Bobçek.

Ai ka vetëm dy ndeshje e një gol me Sllovakinë. Por goli ndaj Irlandës së Veriut më 14 nëntor ia siguroi sllovakëve vendin në plejof.