Sektori energjetik nuk është vetëm çështje ekonomike e zhvillimore, por edhe çështje e sigurisë kombëtare. E për investitorët, furnizimi i sigurt dhe i përballueshëm me energji është po aq i rëndësishëm sa stabiliteti makroekonomik, është thënë të enjten në tryezën me temë “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”
Rezana Bozhlani
Luhatja e çmimit të energjisë elektrike në tregun e hapur dhe taksa e karbonit janë dy prej faktorëve, të cilët sipas kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve në Kosovë, Kushtrim Ajvazi, i pengojnë bizneset të prodhojnë dhe t’i ekspozojnë produktet në tregun rajonal.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAjvazi, në një tryezë diskutimi me temën “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest, ka përmendur edhe telashe të tjera, me të cilat ballafaqohen bizneset.
“Jemi dëshmitarë të asaj që vitet e fundit kemi pasur situata me probleme të theksuara sa i përket furnizimit me energji elektrike. Madje kemi pasur situata të tilla ku kostoja nuk është diskutuar në tavolinat e prodhuesve, se sa do të paguhet, por vetëm që të kemi energji elektrike. Situata të tilla po i hasim edhe tani në rajone të ndryshme, ku një nga krizat e energjisë elektrike ndikon që në një rajon të ndalet komplet prodhimi i energjisë, ndoshta edhe me ditë të tëra. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të kontribuojmë për ta larguar varësinë vetëm nga një burim i energjisë elektrike”, ka thënë ai.
E kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, theksoi se për ta zhvilluar tregun ekonomik, nevojitet treg më konkurrues i energjisë elektrike.
“Sot, bizneset në Republikën e Kosovës përballen me shumë sfida. Konkurrenca në tregjet ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më e fortë, kostot e prodhimit po rriten, ndërsa energjia elektrike mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton konkurrencën e një kompanie. Çdo ndërprerje e energjisë nënkupton humbje të prodhimit. Çdo rritje e çmimit të energjisë nënkupton rritje të kostos së produktit. Në fund, këto kosto i paguan biznesi, konsumatori dhe ekonomia në tërësi”, ka thënë Rafuna. “Nëse duam më shumë eksporte, më shumë industri dhe më shumë vende pune, atëherë duhet të kemi një treg energjetik, që krijon më shumë konkurrencë për biznesin”.
Në tryezë u diskutua edhe për gazin amerikan si mundësi, por sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit Riinvest, Alban Hashani, sfida kryesore e Kosovës është furnizimi me energji elektrike.
“Sot sfida kryesore e Kosovës nuk është furnizimi me gaz, është siguria e furnizimit me energji elektrike. Kriza e vitit 2022 tregon qartë se sa i kushtueshëm mund të bëhet importi kur sistemi nuk ka alternativa”, ka thënë Hashani.
Prej verës së vitit të shkuar, bizneset e mëdha kanë kaluar në treg të hapur të energjisë elektrike, që nënkupton se duhet ta gjejnë vetë furnizuesin.