Futboll

Yakini i hapur për kthimin e Shaqirit, ai refuzon

Xherdan Shaqiri

Përzgjedhësi Murat Yakin, foli të enjten për një rikthim të mundshëm të supeyllit të Baselit, Xherdan Shaqiri, te Përfaqësuesja e Zvicrës. Ai kishte bërë përpjekje për ta kontaktuar në telefon Shaqirin të mërkurën, një ditë para se të publikonte listën e lojtarëve për dy ndeshjet miqësore kundër Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por nuk ia doli të kontaktonte me Shaqirin. Listën për dy ndeshjet miqësore të qershorit, Yakin e bëri publike të enjten.

“U përpoqa ta kontaktoja dje dhe i dërgova një mesazh zanor. E përgëzova për fitimin e kampionatit dhe performancën e tij. Ne e respektuam vendimin e tij për t’u larguar nga përfaqësuesja. Ai e di rolin e tij dhe e luajti mirë në Kampionatin Evropian. Por për mua, dera është ende e hapur. Do ta shqyrtojmë në të ardhmen, por ai duhet të jetë gjithashtu i gatshëm”, ka thënë Yakin në konferencë për media.

Me këto fjalë, Yakin, ia la Shaqirit përgjegjësinë për t’u kthyer te Zvicra për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës në shtator. Zvicra ende nuk ka nisur kualifikimet për Botërorin 2026. Është në grup me Kosovën, Slloveninë dhe Suedinë. Ndeshjen e parë e luan në shtator kundër Kosovës në Basel.

Përgjigja ka qenë e menjëhershme nga Shaqiri.

Ylli i Baselit, Shaqiri, nuk e mendon për momentin kthimin te Zvicra. Këtë e ka bërë të ditur të enjten në konferencën e organizuar nga Baseli para ndeshjes së fundit që Baseli e luan të shtunën kundër Luzernit.

Baseli i udhëhequr nga Shaqiri në fushë, fitoi pas një kohe të gjatë titullin e kampionit të Zvicrës. Të shtunën do të ketë festë në Basel. Shaqiri me Baselin synon edhe Kupën e Zvicrës. Në finale të Kupës do të përballet kundër Bielit më 1 qershor.

Shaqiri thotë se është i fokusuar te Baseli.

“Shumë njerëz më kanë shkuar në javët e fundit në lidhje me sezonin, dhe dje isha edhe në Këshillin Federal në Bernë. Më duhej ta shikoj sërish telefonin për të parë se kush më telefonoi dhe kush më dërgoi mesazh. Midis tyre ka edhe disa emra të mëdhenj. Përgjigja ende nuk ka ndodhur”, ka thënë Shaqiri.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjet e gazetarëve për mundësinë e rikthimit te Zvicra. Por ka insistuar se për momentin, dera e Zvicrës është e mbyllur.

“E kuptoj trajnerin që po mendon për mua. Ekipi kombëtar nuk është paraqitur mirë në muajt e fundit. E kuptoj që ai duhet të japë rezultate të mira. Por unë aktualisht jam te Baseli. Për momentin, dera e ekipit kombëtar është e mbyllur për mua”, ka thënë Shaqiri.

Me këtë përgjigje, Shaqiri e ka refuzuar përzgjedhësin Yakin.

Të enjten në konferencë u paraqitën edhe pronari i Baselit, David Degen, dhe drejtori sportiv, Daniel Stucki. Të dy folën po ashtu për një rikthim të mundshëm të Shaqirit në ekipin përfaqësues të shtetit helvetik.

“Shaqiri ndihet shumë mirë këtu, mund ta ndjesh këtë. Ai ka mbyllur një sezon pa lëndime, gjë që ishte e rrallë më parë. Kjo sigurisht që ka të bëjë me faktin se ai nuk ishte në ekipin përfaqësues”, ka thënë drejtori sportiv i Baselit, Stucki.

Në parim, dikush do të ishte i lumtur nëse Shaqiri do të kthehej te Zvicra.

“Nuk mendoj se ai do të rikthehet në afat të shkurtër, por sigurisht që do të ishim të lumtur për të”, ka thënë pronari i Baselit, Degen.

Shaqiri i dha fund karrierës te Zvicra në verën e vitit të kaluar, pas Kampionatit Evropian të mbajtur në Gjermani.

Në Evropianin në Gjermani nuk luajti shumë. Por kur ishte në fushë, kryesisht bënte dallimin.

Shaqiri është i vetmi futbollist që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha, tri kampionate botërore e tri kampionate evropiane.

Me fanellën e Zvicrës ka debutuar në vitin 2010, ndërsa shënoi 32 gola në 125 paraqitje. Vetëm Granit Xhaka ka më shumë paraqitje se Shaqiri për “helvetikët”. Kapiteni Xhaka ka luajtur 135 ndeshje.

Shaqiri 33-vjeçar udhëhoqi Baselin drejtot titullit të parë të kampionit të Zvicrës që nga vitit 2017.

Prej kthimit te Baseli, në verën e vitit të kaluar, Shaqiri ka shkëlqyer si askush tjetër në Superligën zvicerane të futbollit. Ai është golashënuesi më i mirë në Superligën e Zvicrës. Ka shënuar 18 gola dhe ka asistuar 20 herë për Baselin këtë edicion. Ai synon edhe Kupën e Zvicrës me Baselin.