Futboll

Xhaka: Njerëzit kanë qeshur me mua

Granit Xhaka

Granit Xhaka vlerësohet vazhdimisht njëri prej transferimeve më të mira të këtij edicioni në Premier League. Në Angli ka shumë njohës të futbollit që e vlerësojnë edhe transferimin më të mirë, marrë për bazë ndikimin e tij të madh te Sunderlandi.

Sunderlandi udhëhiqet në fushë nga Xhaka, që është edhe kapiten i skuadrës. Është ekipi i vetëm pa humbje në shtëpi në Premier League dhe po e synon daljen në Evropë. Sunderlandi është kthyer në Premier League pas një kohe të gjatë, ndërsa me Xhakën lider të mesfushës po shfaq nivel të lartë.

Në fakt Xhaka është aktualisht i lënduar dhe do të mungojë në ndeshjen ndaj Arsenalit, që zhvillohet të shtunën nga ora 16:00.

Xhaka në të kaluarën ka luajtur me shumë sukses tek Arsenali. Më pas luajti dy vjet te Bayer Leverkuseni dhe vendosi që sërish të sfidohet në Premier League. Këtë herë te Sunderlandi.

Por jo të gjithë e kuptuan vendimin e tij që të transferohet te Sunderlandi. Madje kishte të tillë që kanë qeshur me zgjedhjen e Xhakës. Këtë kapiteni i Zvicrës e ka theksuar në një intervistë që e ka dhënë për BBC.

Është publikuar vetëm një pjesë e intervistës, ku Xhaka flet për çështjen e transferimit te Sunderlandi.

“Njerëzit kanë qeshur me mua, të jem i sinqertë. Edhe një pjesë e shokëve më të mirë më kanë thënë ‘pse po kthehesh?’. Më kanë thënë ‘në rregull që po kthehesh, por pse në Sunderland?’. Sepse i dua sfidat. Kam pasur ndjenjë se më duhet një sfidë e re pas dy vjetësh në Gjermani. Në vitin e parë i fituam thuajse të gjitha atje. E fituam Bundesligën pa humbje, e fituam Kupën e Gjermanisë. E humbëm finalen në Ligën e Evropës dhe kjo ishte shumë e dhimbshme”, ka thënë Xhaka.

Deri te lëndimi, Xhaka ishte i pazëvendësueshëm në formacionin startues të Sunderlandit. Ai ka munguar në dy ndeshjet e kaluara. Këtë edicion e ka një gol e pesë asistime në 22 paraqitje në Premier League.

“E kam pasur ndjenjën se është klubi i duhur për mua. Këtë ndjenjë e kam pasur kur kam folur me pronarin e Sunderlandit, kur kam folur me klubin, trajnerin. Njerëzit janë shumë modest këtu. Është qytet i vogël dhe e kam parë saktësisht veten se si jam rritur. Dhe kam dashur të kthehem në realitet. Kam besuar se është drejtimi i duhur për mua dhe për familjen time. Dhe jam shumë i lumtur që çdo gjë ka shkuar shumë mirë, ashtu si kam shpresuar”, ka thënë 33-vjeçari.

Pasi shprehu dëshirën që të largohet nga Leverkuseni, për Xhakën kishte skuadra të interesuara në Arabi Saudite, Turqi dhe vende të tjera. Por ai vendosi për kampionatin më të mirë në botë.

Për Xhakën të premten në konferencë foli edhe Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit.

“Fakti që ai u kthye dëshmon që gjithnjë ka një mundësi në futboll. Por ai ka kaluar mjaft kohë larg familjes dhe ishte pjesë e rëndësishme e vendimit që mori kur na la. Sa i takon ndikimit të tij, nuk jam aspak i befasuar, sepse e njoh karakterin e tij. Kur ia jep atë rol, ai e rrëmben me shumë autenticitet dhe në një mënyrë të jashtëzakonshme. Jam shumë i lumtur ta shoh se çka po bën”, ka thënë Arteta.

Tekniku spanjoll është pyetur nëse Xhaka mund të jetë trajner i mirë në të ardhmen.

“Nëse vendos për këtë, ai do të jetë trajner shumë i mirë”, ka theksuar trajneri i Arsenalit.