Futboll

Viniciusi u përgjigjet kritikave me paraqitje të shkëlqyer

Vinicius Junior

Vinicius Junior ka bërë ndeshje të shkëlqyer dhe ka inspiruar Real Madridin për fitoren 6:1 ndaj Monacos, të martën mbrëma në Ligën e Kampionëve. Kështu ylli brazilian ka heshtur kritikat që vinin nga tifozët.

Vinicius u shpall më i miri i ndeshjes nga UEFA. Ai është shquar me shumë veprime gjatë ndeshjes. Ka bërë dy asistime, ishte vendimtar në një shënim tjetër dhe po ashtu ka realizuar gol të shkëlqyer.

Ai ka pranuar pas ndeshjes në “Santiago Bernabeu” se fishkëllimat e tifozëve madrilenë në drejtim të tij e kanë goditur rëndë.

“Kjo paraqitje do të thotë shumë për shkak të gjithë asaj që ndodhi në ditët e kaluara”, ka thënë Vinicius për TNT Sports.

“Ndryshimi i trajnerit, humbja e finales së Superkupës, eliminimi nga Kupa e Mbretit ... Të luash për klubin më të madh në botë është shumë kërkuese. Ndonjëherë nuk i kuptojmë fishkëllimat, por unë e di sa i madh është klubi dhe sa peshon fanella”, ka thënë Vini Jr.

Pakënaqësitë e tifozëve me Viniciusin kulmuan të shtunën në ndeshjen e La Ligas ndaj Levantes. Fishkëllimat ishin shumë të mëdha ndaj yllit brazilian, sidomos kur u thirr emri i tij nga folësi zyrtar.

Tifozët ishin të revoltuar pas një muaji jo stabil, gjatë të cilit u humb finalja e Superkupës nga Barcelona, u pësua humbja turpëruese, 3:2 nga Albacete e kategorisë së dytë dhe u shkarkua Xabi Alonso pas vetëm shtatë muajsh në krye të skuadrës.

Mediat kanë raportuar për përplasje të brendshme, duke përfshirë ato mes Alonsos dhe Viniciusit. Dhe kjo rriti edhe më shumë pakënaqësinë në tifozërinë madrilene.

Por paraqitja e së martës, e udhëhequr nga Viniciusi, dha shenja të tjera.

“Gjëja e vetme që mund të bëj në fushë është të jap çdo gjë nga vetja. Nuk do të jem gjithnjë i përkryer teknikisht, por gjithnjë do të jap 100 për qind për ekipin”, ka thënë Vinicius.

“Nuk dua të fishkëllohem në shtëpi, ku ndihem komod. Por tifozët kanë të drejtat e tyre dhe unë jam këtu për t’u zhvilluar. Dua të qëndroj në Real Madrid për kohë të gjatë”.

Që kur iu bashkua Real Madridit në vitin 2018, Viniciusi ishte pjesë e rëndësishme e suksesit të klubit. E ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë. Ai shënoi në të dy finalet, ndaj Liverpoolit në vitin 2022 dhe ndaj Borussia Dortmundit në vitin 2024. Atë vit u shpall edhe më i miri nga FIFA.

Pas golit të shënuar të martën, Vinicius festoi me bashkëlojtarë, por jo me tifozë. Ai vrapoi drejt trajnerit të ri, Alvaro Arbeloa dhe e përqafoi atë.

“Kur ‘Bernabeu’ është me të, ai është i pandalshëm. Ai është lojtari më i rrezikshëm këtu. Nëse duam të luftojmë për trofe, na duhet ai. Ai e meriton. Përqafimi që më dha ishte për të gjithë tifozët e Real Madridit që e kanë përkrahur dhe ishin me të gjatë momenteve të vështira”, ka thënë trajneri Arbeloa.

Pos që asistoi për Kylian Mbappen dhe Franco Mastantuonos, Vini bëri krosimin që solli autogolin e ekipit francez.