Një ilaç i ri që mund të vonojë shfaqjen e diabetit të tipit 1 është vënë në dispozicion për herë të parë nga shërbimi shëndetësor publik në Britani dhe Uells, duke u konsideruar një përparim i madh në trajtimin e kësaj sëmundjeje, ka shkruar BBC.
Ilaçi, i quajtur teplizumab, është një formë imunoterapie që mund t’u japë pacientëve deri në tre vjet shtesë pa simptoma dhe pa nevojën për trajtim të përditshëm me insulinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDiabeti i tipit 1 shkaktohet kur sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e pankreasit që prodhojnë insulinë. Personat e prekur duhet të monitorojnë vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak dhe të marrin insulinë gjatë gjithë jetës.
Karen Addington, drejtoreshë e organizatës Breakthrough T1D, e quajti zhvillimin historik.
“Nëse do të ishte fëmija juaj ose dikush që e doni, do të dëshironit të bënit gjithçka për t’i dhënë më shumë vite pa barrën e përditshme të kësaj sëmundjeje të pamëshirshme. Tani kemi një trajtim që mund ta bëjë këtë të mundur”, ka thënë ajo.
Ilaçi duhet të jepet para shfaqjes së simptomave, pasi analizat e gjakut të tregojnë se sistemi imunitar ka filluar të sulmojë pankreasin.
Një nga fëmijët që e ka marrë trajtimin është Dima Boichak, i cili u identifikua si person me rrezik të lartë për zhvillimin e diabetit përmes një studimi kërkimor në Britani.

Nëna e tij, Elena, ka thënë se trajtimi kërkonte infuzione për 14 ditë rresht në spital, por beson se sakrifica ia vlejti.

“Dhurata më e madhe që na jep teplizumab është koha, koha që ai të jetë thjesht një fëmijë normal dhe të jetojë një jetë normale. Kjo është e mrekullueshme për të dhe për mua si nënë”, u shpreh ajo.
Përfaqësuesit e Institutit Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin (NICE), kanë vlerësuar se rreth 1.100 fëmijë dhe të rritur mund të përfitojnë nga ky trajtim gjatë vitit të parë.
“Për herë të parë kemi një trajtim që u jep njerëzve të diagnostikuar në fazat e hershme kohë të çmuar shtesë para se të përballen me kërkesat e plota të kësaj sëmundjeje”, ka thënë Helen Knight, drejtoreshë e vlerësimit të barnave në NICE.
Ekspertët shpresojnë se në të ardhmen kombinime të ngjashme imunoterapish mund të parandalojnë plotësisht nevojën për insulinë te disa pacientë me diabet të tipit 1.