Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, të shtunën vazhdon gara në Superligën e Kosovës në futboll.
Ndeshjet e xhiros së 26-të janë luajtur më 21 e 22 mars, kurse të shtunën e të dielën janë ndeshjet e xhiros së 27-të.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë shtunën janë tri ndeshje, me ndikim direkt në garën për titull të kampionit dhe atë për të shmangur rënien nga Superliga dhe pozitën e plejautit.
Ballkani – Dukagjini është njëra prej ndeshjeve të së shtunës. Ballkani është i dyti në tabelë me 45 pikë, tri më pak se liderja, Drita. Ndërkohë Dukagjini është i gjashti me 34 pikë.
Skuadra nga Klina është në seri të gjatë pa fitore. Kjo solli ndryshimin e trajnerit. Arsim Thaqi është trajner i ri i Dukagjinit.
Dukagjini kërkoi të reagojë në fushën e vështirë në Suharekë, por plane të njëjta ka edhe Ballkani, pas disfatës 1:0 nga Prishtina, që e largoi nga pozita e parë.
“Pushimin e kemi shfrytëzuar për të punuar në detaje taktike, përkatësisht për t’u kthyer në parimet tona të lojës. Skuadra është gati. Kemi probleme me lëndime, por nuk shikojmë prapa, vetëm përpara. Na duhet vendosmëri, fokus i plotë, të jemi të guximshëm dhe të uritur për gola”, ka thënë trajneri i Ballkanit, Mislav Karoglan.
Llapi – Ferizaj është ndeshje shumë e rëndësishme që zhvillohet po ashtu të shtunën nga ora 15:00.
Të dy skuadrat janë në luftë për të shmangur rënien e po ashtu pozitën e tetë që dërgon në plejaut. Ferizaj ka bërë ngritje shumë të rëndësishme në xhirot e fundit. Aktualisht është në vendin e shtatë me 32 pikë. Llapi është i teti me 29 pikë, një më shumë se Drenica që renditet e nënta, përkatësisht e parafundit. Prishtina e Re është e fundit me 24 pikë.
Ndeshja tjetër e së shtunës është ajo në mes të Prishtinës së Re dhe Gjilanit, që zhvillohet në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Prishtina e Re kërkon pikët që do ta kthenin në garën për ekzistencë. Ndërkohë Gjilani luan që me fitore të përfshihet edhe më fuqishëm në garë për dalje në Evropë. Aktualisht e mban vendin e pestë me 39 pikë.
Drita – Malisheva dhe Drenica – Prishtina janë ndeshjet e së dielës. Malisheva është e katërta me 40 pikë dhe në garë për kreun.
Rivalitet i madh pritet në Skënderaj. Pikët janë me vlerë të madhe si për Drenicën ashtu edhe për Prishtinën.
Superliga në futboll – XXVII
E shtunë (15:00)
Llapi – Ferizaj
Ballkani – Dukagjini
Prishtina e Re – Gjilani
E diel (15:00)
Drita – Malisheva
Drenica – Prishtina