Të luash para 15 mijë shikuesve është goxha privilegj. Por të luash para plot 81 mijë e 365 shikuesve është e veçantë.
Dhe një mundësi të tillë të dielën mbrëma e kishin tre lojtarët e Kosovës, Albian Hajdari, Leon Avdullahu e Fisnik Asllani. Ata ishin startues te Hoffenheimi që u mposht nga Borussia Dortmundi në “Signal Iduna Park” me rezultatin 2:0.
Stadiumi në Dortmund ishte plotësisht i mbushur me shikues. U shitën të gjitha 81 mijë e 365 biletat që ishin në shitje. Dhe atmosfera, si në çdo ndeshje në shtëpi të Dortmundit, ishte e zjarrtë.
Ka shumë kohë që Dortmundi është i njohur për bazën e gjerë të mbështetësve. “Muri i verdhë” që e formojnë tifozët e zjarrtë të Borussia Dortmundit, është prej gjërave më të veçanta që ofron futbolli.
Për paraqitjen në një atmosferë të tillë tashmë mund të flasin edhe Asllani, Avdullahu e Hajdari.