Skuadra e Novi Pazarit ka barazuar 3:3 me Cërvena Zvezdën e Beogradit, të shtunën në xhiron e parafundit të plejofit të Superligës së Serbisë në futboll. Zvezda tashmë e ka siguruar titullin, ndërsa Novi Pazari po ëndërron për dalje historike në Evropë. Për këtë i duhet fitorja në ndeshjen e xhiros së fundit, në udhëtim ndaj OFK Beogradit.
Ndeshja e luajtur të shtunën para 9000 shikuesve në stadiumin e qytetit në Novi Pazar, ishte shumë e tensionuar. Është ndërprerë disa herë për shkak të hedhjes së mjeteve shpërthyese në fushën e lojës.
Të pranishëm pos tifozëve pasionantë të Novi Pazarit ishin edhe një grup i tifozëve të Cërvena Zvezdës.
Mediat serbe kanë shkruar për thirrjet që janë bërë nga tifozët boshnjakë të Novi Pazarit, qytet në afërsi të kufirit me Kosovën.
Sajti “sportal.rs” ka shkruar për “provokim të turpshëm të tifozëve të Novi Pazarit në Serbi”.
Është tifo-grupi “Torcida Sanxhak”, që sipas mediave beogradase ka nisur këngën: “E keni humbur Kosovën, ishte serbe, tani është shqiptare; dëgjoni ‘Delije’, dëgjoni ‘Grobari’, Kosova nuk do të kthehet”.
Këtë këngë më pas e kanë kënduar gjithë tifozët e Novi Pazarit në stadium.
“Delije” janë tifozët e Zvezdës, ndërsa “Grobari” tifozët e Partizanit të Beogradit.
Huliganët e Zvezdës së Beogradit kanë bërë thirrje “Kosova është Serbi”, ndërsa kanë shfaqur edhe flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës. Prej tyre ka pasur edhe thirrje për kriminelin Ratko Mladiq.
Ndërkohë tifozët e Novi Pazarit kanë thirrur emrin e komandantit nga Bosnjë-Hercegovina, Naser Oriqit.
Mediumi tjetër anti-shqiptar i Serbisë, “informer.rs”, ka shkruar: “Skandal! Tifozët e Novi Pazarit përkrah shqiptarëve kundër vendit tonë – kjo do të zemërojë tërë Serbinë”.
Tifozët e Novi Pazarit kanë rivalitet shumë të madh me tifo-grupet e klubeve beogradase. Ndonëse në numër dukshëm më të vogël, tifozët e kësaj skuadre ia dalin që shpesh të jenë pjesë e raportimeve të mediave në Serbi.