Futboll

The Sun: Çfarë transferimi ishte Xhaka

Granit Xhaka

Mediumet angleze vazhdojnë ta vlerësojnë shumë lart Granit Xhakën. Mesfushori 33-vjeçar të dielën e udhëhoqi Sunderlandin drejt fitores 1:0 në derbin e zjarrtë ndaj Newcastle Unitedit. 

Ndonëse i kthyer në Premier League pas një kohe të gjatë, Sunderlandi është i shtati në tabelë me 26 pikë, sa i kanë edhe Liverpooli në të gjashtin dhe Crystal Palace në të pestin.

Mediumi i njohur, The Sun, ka shkruar se Xhaka është “në mënyrë kriminale i nënvlerësuar”.

“Duhet të flasim më shumë për Granit Xhakën, çfarë transferimi ishte për Sunderlandin. Ai kushtoi vetëm 17 milionë funte, duke përfshirë bonuset, dhe përvoja, lufta dhe komunikimi i tij janë një nga faktorët kryesorë që kanë nxitur edicionin e pabesueshëm të ‘Maceve të Zeza’ deri më tani. Në mënyrë kriminale i nënvlerësuar”, ka shkruar “The Sun” në një nga shumë postimet e mediave angleze për Granit Xhakën.

Derbi “Wear-Tyne”, ashtu si njihet përballja e Sunderlandit me Newcastlen, mori shumë vëmendje në Angli. Ai vlerësohet prej derbive më të zjarrtë në futbollin anglez, për shkak të rivalitetit të madh regjional të dy skuadrave dhe grupeve të tifozëve. 

Ndonëse ishte kapiten i Arsenalit dhe i Bayer Leverkusenit, Xhaka ka thënë se është privilegj të jetë pjesë e Sunderlandit. Për nga sukseset, Sunderlandi qëndron shumë prapa Arsenalit. Me Leverkusenin, Xhaka e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Gjermanisë.

“Është privilegj të jesh pjesë e këtij klubi të futbollit, të luash këtë derbi. Do të thotë shumë”, ka thënë Xhaka në një prej intervistave pas ndeshjes.

“E kemi ndier këtë tërë javën. Java ishte e veçantë. Kemi dashur t’i shpërblejmë tifozët dhe jemi të lumtur që morëm tri pikët dhe bëmë ndeshje të madhe. Shpirti ekipor ishte i mahnitshëm”, ka theksuar Xhaka.

Gjatë karirerës shumë të suksesshme, Xhaka ka luajtur shumë derbi. Por derbin me Sunderlandin e ka përjetuar ndryshe.

“Me përvojën që kam, kam luajtur shumë derbi, por kjo javë ishte shumë e veçantë. Nuk mund ta përshkruani me fjalë. Derbit janë për t’u fituar. Tifozëve u duhet fitorja. Është e dhimbshme çdo derbi që e humbë, por ky është i veçantë”, ka theksuar kapiteni i Zvicrës. 

BBC e ka vlerësuar Xhakën si lojtarin më të mirë të ndeshjes. Ai po shfaq nivel të lartë që kur iu bashkua Sunderlandit në verë nga Bayer Leverkuseni. Dhe me Xhakën si kapiten e lider të mesfushës, Sunderlandi po përjeton kampanjë të pabesueshme.