Futboll

Te Suedia respektojnë Kosovën, por llogarisin në fitore

Alexander Isak

Alexander Isak ishte lojtari më i përfolur në Angli gjatë afatit kalimtar të verës. Për sulmuesin Isak u fol edhe të dielën në konferencën për media të Suedisë para ndeshjes ndaj Kosovës.

Shumë prej pyetjeve për selektorin e Suedisë, Jon Dahl Tomasson, lidheshin me sulmuesin e ri të Liveproolit.

Tomasson nuk ka konfirmuar nëse ylli i Suedisë do të paraqitet nga minuta e parë.

“Në ndeshjen e fundit ai qëndroi në bankën e rezervistëve për 90 minuta, pjesërisht për shkak të rezultatit. Nëse do të kishte qenë 1:1, ai patjetër do të kishte luajtur, por ne ishim duke avancuar. Ai kishte vetëm tri stërvitje, tani është stërvitur pesë herë. Po mendojmë për planin afatshkurtër dhe afatgjatë me të”, ka thënë Tomasson.

Me apo pa Isakun në fushë, Suedia synon fitore ndaj Kosovës. 

Ndeshja Kosovë – Suedi luhet të hënën nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Për të dyja përfaqësueset është ndeshja e dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Tomasson ka refuzuar të tregojë nëse mund të ketë ndryshime në formacion pas barazimit 2:2 me Slloveninë në Lubjanë, të premten.

“Ne kemi një ekip të mirë dhe mund të bëjmë ndryshime. Por nuk do të them asgjë për formacionin, do ta shihni nesër”, ka shtuar tekniku danez.

Kosova e Suedia janë takuar tri herë. Në miqësoren e luajtur në vitin 2020, Suedia fitoi 1:0. Kurse në vitin 2021, kjo përfaqësuese i fitoi dy ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022. Si në Prishtinë ashtu edhe në Solna, Suedia kishte fituar me rezultat 3:0.

Tomasson megjithatë ka vlerësuar Kosovën. Ai ka theksuar se Kosova ka ekip të shkëlqyer. 

“Kosova ka ekip të shkëlqyer, e do futbollin, e njeh futbollin dhe ka lojtarë cilësorë. Kemi luajtur ndaj Kosovës dhe ndeshjet e kaluara kanë përfunduar me rezultat të ngushtë”, ka thënë Tomasson.

Kosova humbi me rezultat 4:0 të premten nga Zvicra në Basel. Por Tomasson thotë se Suedia nuk do ta nënvlerësojë Kosovën. 

“Kosova luan me shumë krenari, veçanërisht në shtëpi. Ne kemi respekt të madh për Kosovën. Por ne duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Kjo vlen edhe për ndeshjen kundër Kosovës”, ka thënë Tomasson.

Selektori i Suedisë ka folur edhe për Besfort Zenelin. Ka thënë se Zeneli është duke u zhvilluar mirë si lojtar tek Elfsborgu.

Zeneli refuzoi Kosovën dhe iu bashkua Suedisë. Por nuk u ftua për ndeshjet e këtij muaji.

Me Tomassonin në konferencë u paraqit futbollisti Isak Hien.

Ai ka vlerësuar po ashtu lojtarët e Kosovës. Ka shtuar se në Prishtinë kanë ardhur për fitore.

“Shpresojmë të dalim në fushë dhe t’ia arrijmë këtij qëllimi. Do ta japim më të mirën tonë. Kosova ka skuadër të fortë dhe mjaft cilësore. Ka lojtarë që luajnë në klube të mira dhe liga të mira. Por ne kemi një skuadër me cilësi dhe do të futemi në fushë për fitore”, ka thënë Hien.

Në grup me Kosovën e Suedinë janë edhe Zvicra dhe Sllovenia.