Futbollisti i Përfaqësueses së Sllovakisë, Laszlo Benes, ka analizuar ndeshjen gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 kundër Kosovës dhe përballjen e mundshme me Turqinë në finale.
Gjysmëfinalja ndërmjet Sllovakisë dhe Kosovës luhet në Bratislavë më 26 mars, kurse finalja luhet më 31 mars. Gjysmëfinalja tjetër është ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë.
Futbollisti sllovak, i cili luan për Kayserispor në Superligën turke, foli jo vetëm për sfidën kundër Kosovës, por edhe duelin e mundshëm kundër Turqisë.
“Së pari duhet të përqendrohemi në ndeshjen tonë kundër Kosovës, sepse do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. E dimë që Kosova ka lojtarë cilësorë”, ka thënë futbollisti që ka luajtur 38 ndeshje për Sllovakinë, shkruan “sport 24.sk”.
Sipas Benesit, është e rëndësishme të mbahet fokusi te ndeshja e radhës, sepse ndeshjet eliminatore janë të paparashikueshme dhe një paraqitje e dobët mund ta shuajë ëndrrën për Botëror.
Sipas Benesit, Sllovakia duhet të demonstrojë përqendrim maksimal dhe performancë të disiplinuar.
“Nëse kalojmë Kosovën dhe luajmë kundër Turqisë, do të jetë një ndeshje shumë e veçantë për mua sepse kam luajtur në Turqi që nga fillimi i këtij sezoni”, tha Benes, i cili shpejt ka fituar respekt falë paraqitjeve dhe qasjes së tij.
Sipas tij, Turqia është një nga ekipet përfaqësuese më të mira në Evropë.
“Turqia është një ekip kombëtar shumë i fortë me lojtarë shumë të mirë. Do të jetë një kundërshtar i vështirë për ne”, tha ai.