Futboll

Te Kosova besojnë se mund të fitojnë në Lubjanë

Kosova

Mbrojtësi Albian Hajdari dhe mesfushori Meriton Korenica besojnë se Kosova ka skuadër për ta fituar ndeshjen kundër Sllovenisë në Lubjanë.

Ndeshja zhvillohet të shtunën nga ora 20:45 dhe i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Është ndeshja e parafundit kualifikuese për të dyja përfaqësueset.

“Ne do të përgatisim lojën kundër Sllovenisë për të marrë maksimumin, tri pikët. Nuk është e lehtë të analizohet kundërshtari, sepse ndeshjen e parë e kemi luajtur këtu në ‘Fadil Vokrri’, kurse tani luajmë në Lubjanë. E dimë se na pret një ndeshje e vështirë, por trajneri është duke na përgatitur shumë mirë që në ditën e lojës ta japim maksimumin”, ka thënë Hajdari.

Loja me presion të lartë, qarkullimi i shpejtë i topit dhe koordinimi në fazën mbrojtëse, kanë qenë disa nga elementet e punës së bërë të mërkurën nga Përfaqësuesja.

“Gjithçka po shkon shumë mirë dhe shpresoj që të marrim rezultate pozitive dhe të bëjmë historinë e Kosovës. Dalëngadalë kemi filluar të punojmë në aspektin taktik. Ne kemi treguar lojëra shumë të mira dhe shpresoj të vazhdojmë tutje me këtë formë të lartë”, u shpreh Korenica.

Me ndeshjen kundër Zvicrës të martën e ardhshme, Kosova e mbyll kampanjën kualifikuese për Botërorin që vitin e ardhshëm. Ka entuziazëm për kualifikim historik.