Kriza politike, mungesa e reformave dhe pasiguria institucionale po ndikojnë drejtpërdrejt në hezitimin e investitorëve të huaj në Kosovë kanë thënë përfaqësues të komunitetit të biznesit. Sipas tyre, vendi ende nuk po arrin të tërheqë investime serioze strategjike
Kryeministri në detyrë Albin Kurti të martën është lavdëruar për krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime.
Në forumin Itali-Kosovë për Agrobiznes, ai ka folur për potencialin e Kosovës për tërheqjen e investitorëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në vitet e fundit kemi rritur eksportet, kemi përmirësuar klimën për biznes, dhe kemi tërhequr investime të reja. Por, mbi të gjitha, Kosova ka energjinë e njerëzve të saj si një popullsi e re, dinamike dhe sipërmarrëse, e cila kërkon partneritete serioze dhe afatgjata”, ka thënë Kurti.
Por, sipas Odës Ekonomike të Kosovës, nuk është arritur të tërhiqet asnjë investim serioz në vitet e fundit.
Shkak kryesor për këtë, sipas kryetarit të OEK-ut, Lulzim Rafuna, është situata politike në vend.
“Bllokada institucionale që pothuajse po bëhen dy vjet që jemi në bllokadë institucionale dhe nuk e kemi bërë një reformë të vetme, më pas edhe ky jostabilitet politik ndikon, duke shtuar që kohë pas kohe kemi pasur tensione, apo deklarata jo shumë të mira për mesazh për investime”, ka thënë ai.
E një ditë më parë, kryeministri në detyrë, Kurti, në një intervistë në KOHË, kur i është kërkuar t’i përmendë të paktën tri investime që janë bërë viteve të fundit, ka folur vetëm për kompaninë “Orllati”, e cila është fituese e ankandit të parë solar.
KOHA ka raportuar se asnjë panel diellor nuk është vendosur në fshatrat Kramovik dhe Guri i Kuq të Rahovecit, ani se aty nga marsi i vitit të kaluar parashihej fillimi i ndërtimit të parkut të parë solar me kapacitet prej 100 megavatësh.
E, për tërheqjen e investimeve, kryetari i OEK-ut ka thënë se institucionet duhet që me urgjencë të zhvillojnë diplomacinë ekonomike dhe të lobojnë të gjithë që të dëshmojnë që Kosova është vend i sigurt për investime.
“Përveç mungesës së fuqisë punëtore, sfida e dytë më e madhe e kompanive është mungesa e fuqisë ekonomike të kualifikuar. Ne si Odë Ekonomike në mbështetje me GIZ-in gjerman dhe Lux Dev kemi filluar me mësimin dual dhe kemi 200 nxënës që janë duke vazhduar me mësimin dual. Kjo shihet të jetë ajo ura lidhëse për të kaluar këtë sfidën që nuk kemi kuadro të kualifikuara. E vetmja zgjidhje siç ka ndodhur është zhvillimi i mësimit dual”, ka thënë Rafuna.
Të dhënat flasin për rritje të investimeve të huaja në Kosovë gjatë vitit 2025, përreth 238 milionë më shumë se më 2024, duke arritur në 1 miliard euro.
Por, ato janë investime që bëhen kryesisht nga diaspora dhe se rreth 75 për qind e tyre shkojnë në patundshmëri.
Sektori i dytë apo 12 për qind e investimeve janë në aktivitete financiare dhe të sigurimit si dhe pjesa tjetër në tregti me shumicë dhe pakicë, informim dhe komunikim, si dhe furnizim me energji elektrike, gaz dhe avull.