Pas fitores 3:2 në Bukuresht, kampioni i Rumanisë, FCSB, synon fitore edhe në Prishtinë për ta siguruar kualifikimin në plejofin e Ligës së Evropës.
Trajneri i FCSB, Elias Charalambous, zbuloi se si ekipi tij duhet të paraqitet për ta siguruar kualifikimin.
Ndeshja kthyese e raundit të tretë kualifikues ndërmjet Dritës dhe FCSB luhet të enjten nga ora 20:00 dhe do të transmetohet në KTV.
“Presim ndeshje të vështirë kundër një skuadre shumë mirë të organizuar. Luftuam shumë në ndeshjen e parë. Gjasat për fitore janë 50-50. Nuk do të mbrohemi, është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, kjo është e qartë”, ka thënë Charalambous në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë të mërkurën.
Ai ka thënë se pritja në Kosovë ka qenë e mirë.
“Që nga momenti i parë që shkelëm në Kosovë, ishte fantastike. Të gjithë ishin shumë të mirë me ne, na pritën mirë. Kosova është zhvilluar shumë dhe mirë”, ka theksuar ai.
Ai ka insistuar se Drita ka skuadër të fortë.
“Ekipi gjithmonë ka ruajtur besimin, sepse jemi një klub i madh, duhet të reagojmë në momente të vështira, si klubet e mëdha. Do të përballemi me një kundërshtar të përqendruar në ndeshje, një kundërshtar të fortë”, thotë trajneri Charalambous.
Ai ka shtuar se i pëlqen të ketë presion në ekip.
“Më pëlqen të jem nën presion. Dhe lojtarët duhet të jenë nën presion, prandaj janë në FCSB, përndryshe nuk do të ishin në FCSB”, ka thënë ai.
Ai pret atmosferë të zjarrtë të enjten në “Fadil Vokrri”.
“Tifozët nuk do të jenë me ne, por energjia e tyre është me ne. Do të luftojmë për ta, duke i pasur në mendje. E dimë se do të jemi nën presionin e atmosferës, por lojtarët e mi dinë si të luajnë në këto lloj duelesh. Është pozitive për lojtarët”, tha Charalambous.
Edhe kapiteni Adrian Sut ka thënë se janë gati për t’iu bërë ballë atmosferës dhe lojtarëve të Dritës.
“Jemi përpjekur ta përgatisim në detaje ndeshjen. Do të mundohemi të mos pësojmë gol nga ndeshja në ndeshje, por as kundërshtari nuk mund të mbyllet gjatë gjithë kohës. Do të jemi më të përqendruar nga nesër. Shpresoj se i kuptuam gabimet që bëmë në Bukuresht. Të gjithë janë të përqendruar, të gjithë duan të tregojnë se mund ta kapërcejmë periudhën e vështirë. Është e rëndësishme të ecim përpara, të kualifikohemi”, ka thënë Sut.
Ai ka thënë se FCSB lufton për të siguruar paraqitjen në Ligën e Evropës, jo Ligën e Konferencës.
Ekipi që kualifikohet në plejof të Ligës së Evropës do të ballafaqohet me Aberdeenin, skuadrën e njohur skoceze. Ndeshjet e plejofit të Ligës së Evropës luhen më 21 dhe 28 gusht.
Skuadra që eliminohet do të paraqitet në plejofin e Ligës së Konferencës.