Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, të dielën e regjistroi humbjen e pestë rresht. Humbi nga Ferizaj 1:0, në ndeshjen e parë të edicionit 2025/2026 të Superligës së Kosovës në futboll.
Por te Drita besojnë se kriza e rezultateve do të marrë fund të enjten.
Futbollistët e skuadrës gjilanase të enjten në Prishtinë do ta presin kampionin e Luksemburgut, Differdange. Ndeshja Drita – Differdange i takon plejofit të Ligës së Konferencës. Ndeshja e kthimit luhet më 28 gusht në Differdange.
“Nuk do të jetë aspak e lehtë, por po shpresojmë në sukses historik. Kemi dy mungesa, Mesa i lënduar dhe Rron Broja i suspenduar. Ende nuk na ka ardhur vendimi për Brojën se a do të jetë i suspenduar në një apo dy ndeshje. Por kemi fond të lojtarëve që mund ta zëvendësojnë Rronin dhe Mesën. Urojmë ta mbyllim me sukses lojën e parë dhe të udhëtojmë me rezultat të favorshëm në Differdange”, ka thënë drejtori i klubit Feti Murseli për KOHËN të hënën.
Në fakt, fitoret e fundit Drita i kishte pikërisht ndaj Differdanget.
Drita e kishte mposhtur Differdangen në dy ndeshjet e para kualifikuese të Championsit.
Ndeshjen e parë e kishte fituar 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me golin e Arb Manajt. Manaj dhe Veton Tusha kishin shënuar edhe në ndeshjen në udhëtim, në fitoren 3:2.
Më pas Drita rreshtoi pesë humbje, përfshirë disfatën nga Ferizaj të hënën.
Pasi e eliminoi Differdangen në rrethin e parë kualifikues të Championsit, Drita e vazhdoi rrugëtimin në rrethin e dytë kualifikues dhe përballë e pati Copenhagenin. Copenhageni, skuadra më e suksesshme e futbollit danez, fitoi me rezultatin e përgjithshëm 3:0 dhe avancoi tutje. Ndërkohë, Drita u bart në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Nga FCSB-ja rumune u mposht me rezultatin e përgjithshëm 6:3. Me rezultatin 3:2 u mposht në Bukuresht, ndonëse ishte në epërsi prej 2:0 për kohë të gjatë. Në kryeqytet humbi 3:1.
“Po besojmë që të enjten është momenti i rikthimit. Është pozitive që kemi ndeshjen e radhës në Evropë dhe po shpresojmë me fitore fillimisht në Prishtinë e më pas në udhëtim ta sigurojmë kalimin për herë të parë në Ligën e Konferencës. Do të ishte shumë e rëndësishme për ne, edhe në aspektin sportiv edhe financiar”, është shprehur Murseli.
Murseli insiston se lojtarët janë të motivuar për të arritur sukses historik.
“Morali te lojtarët nuk ka. Ka pasur sot stërvitje regjeneruesi. Lojtarët janë të fokusuar për ndeshjen e parë ndaj Differdange”, ka theksuar Murseli.
Drita është e vetmja skuadër e Kosovës që ka mbetur në garë për avancim në fazën e ligës, në Ligën e Konferencës.
Ballkani pasi e kaloi Florianan në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, u eliminua nga Shamrock Roversi. Skuadrën irlandeze e mposhti 1:0 në Prishtinë, por pësoi humbje 4:0 në udhëtim. Ballkani deri tani është e vetmja skuadër që është paraqitur dy herë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina, u eliminua në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë, ndërsa në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës humbi nga Larne në Prishtinë pas ekzekutimit të penalltive, 5:4. Me rezultatin 0:0 ishte mbyllur ndeshja në Irlandën e Veriut. E 1:1 u mbyll ndeshja në “Fadil Vokrri” në kohën e rregullt dhe në vazhdime.
Ndërkohë, Malisheva pësoi thellë nga Vikingur Reykjavik i Irlandës. Humbi 1:0 në Prishtinë dhe 8:0 në udhëtim.