Te Drita e Gjilanit pranojnë se Copenhageni është në pozitë shumë më të favorshme për të siguruar raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Por kjo nuk nënkupton se gjilanasit nuk do ta kërkojnë kualifikimin, që do të ishte historik. Madje në kërkim të kapitullit tjetër të historisë, te kampionia e Kosovës në futboll premtojnë lojë “me rrezikshmëri më të lartë”. Kjo nënkupton më shumë lojë ofensive në kërkim të fitores prej dy e më shumë golash dallim.
Copenhageni e fitoi 2:0 ndeshjen në Danimarkë, të martën e kaluar. Ndeshja e kthimit është të martën prej orës 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja do të transmetohet në KTV.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit.
“Kemi para një ndeshje mjaft të vështirë, siç ishte edhe takimi i parë në Kopenhagë. Tashmë e njohim kundërshtarin, e kemi njohur edhe para takimit të parë. Kemi bërë analizën e ekipit tonë dhe e kemi parë që bëhet fjalë për një ekip me eksperiencë. Një ekip që ka objektiv gjithmonë fazën e ligës në Ligën e Kampionëve. Mendoj që në ndeshjen e parë kemi bërë një paraqitje të mirë në aspektin taktik, me disiplinë taktike, me shumë angazhim të futbollistëve. Por, ishin dy momente ku u ndëshkuam. Si në ndeshjen e parë ashtu edhe në të dytën ne do ta japim maksimumin. Favorit është ekipi kundërshtar. Jam i bindur se edhe me një rezultat pozitiv për ne, Copenhageni do të ishte prapë favorit”, ka thënë Ramadani të hënën në konferencë për shtyp.
Ndeshjen në Danimarkë e vendosën dy penallti të pjesës së dytë. Të dy penalltitë u shkaktuan nga momente pafat të ekipit gjilanas.
Dritës i duhet fati në ndeshjen e dytë, por edhe përkrahje e shikuesve. Natyrisht, përmbysja e rezultatit të ndeshjes së parë është mision goxha sfidues.
“Ne do t’i qasemi më ndryshe ndeshjes. Duhet që ta marrim më tepër rrezikshmëri, duhet të kemi më shumë guxim për të arritur deri te fitorja. Duke rrezikuar më shumë mund edhe të pësosh gol. Mirëpo, nuk kemi se çfarë të humbim, mund vetëm të fitojmë. Ne jemi në disavantazh prej 2:0, nuk duhet të presim që kundërshtari të na sulmojë, por duhet të jetë e kundërta. Në mbrojtje një kundër një, duhet të jemi katër mbrojtës me katër sulmuesit e kundërshtarit dhe të shohim se si do t’ia dalim. Është detyrim që të marrim një rrezikshmëri më të lartë se në ndeshjen e parë”, ka shtuar Ramadani.
Drita është bërë skuadra e parë kosovare që ka arritur në raundin e dytë kualifikues të Championsit. Por prej fillimit është ditur se Copenhageni është ekip i nivelit të lartë evropian. Përvoja në gara kontinentale të këtij ekipi dëshmon këtë.
Kapiteni i Dritës, Rron Broja, shpreson në “befasinë e madhe”.
“Do të jetë shumë vështirë, duke e ditur me kë do të përballemi, që ta përmbysim rezultatin. Nuk kemi rrugë tjetër, duhet të provojmë që të arrijmë t’i befasojmë, të japim maksimumin. Nëse do të arrijmë ta përmbysim këtë rezultat do të jetë histori për futbollin e Kosovës, për Dritën. Jam optimist dhe nesër do të shohim”, ka thënë Broja, që është “motori” i skuadrës gjilanase në mesfushë.
Nëse eliminohet, Drita vazhdon garën evropiane në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Nesër na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër skuadrës së Copenhagenit. Një skuadër mjaft cilësore. Ndeshjen e kaluar besoj se e kemi dhënë maksimumin tonë. Na ka munguar pak fati, sepse mund të merrnim më shumë nga ajo ndeshje. Zhvilluam një ndeshje të mirë. Shpresoj që nesër mbrëma të na kthehet pak fati dhe të arrijmë një rezultat sa ma pozitiv”, ka shtuar Broja.
Pos Dritës, në gara evropiane po paraqiten edhe Prishtina e Ballkani. Këto dy skuadra luajnë të dielën në kuadër të Ligës së Konferencës.