Superliga Evropiane edhe zyrtarisht nuk do të realizohet, ka njoftuar shtëpia e futbollit evropian, UEFA.
Në një komunikatë të mërkurën, UEFA ka thënë se ka arritur marrëveshje me Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madridin për mirëqenien e futbollit evropian, duke respektuar parimin e meritës sportive.
“Pas muajsh diskutimesh të zhvilluara në interesin më të mirë të futbollit evropian, UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madrid CF njoftojnë se kanë arritur një marrëveshje parimesh për mirëqenien e futbollit evropian të klubeve, duke respektuar parimin e meritës sportive me theks në qëndrueshmërinë afatgjatë të klubit dhe përmirësimin e përvojës së tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë”, thuhet në komunikatën e UEFA-s.
Kjo marrëveshje parimesh do të shërbejë gjithashtu për të zgjidhur mosmarrëveshjet ligjore në lidhje me Superligën Evropiane, “pasi këto parime të ekzekutohen dhe zbatohen”.
Më 18 prill 2021, 12 klube të mëdha – përfshirë Real Madridin, Barcelonën, Juventusin, Manchester Unitedin, Liverpoolin, Chelsean dhe të tjera – shpallën zyrtarisht krijimin e Superligës Evropiane. Projekti parashihte një garë pothuajse të mbyllur me anëtarë të përhershëm, çka shkaktoi reagim të menjëhershëm nga tifozët, federatat, ligat vendore, UEFA dhe FIFA.
Brenda 48 orësh, për shkak të presionit të madh publik dhe politik, sidomos në Angli, gjashtë klubet angleze u tërhoqën, duke e bërë projektin praktikisht të dështuar. Edhe klubet e tjera u distancuan më vonë, ndërsa ideja në formën fillestare u rrëzua.
Megjithatë, debati për reformimin e garave evropiane vazhdoi, dhe disa nga klubet themeluese kanë tentuar ta riformulojnë projektin, por pa sukses konkret. Dhe në fund, edhe klubet më insistuese, si Barcelona e Juventusi, hoqën dorë.