Sulmuesi i Suedisë, Alexander Isak, iu bashkua Liverpoolit në ditët e fundit të afatit kalimtar veror, pas një lufte të gjatë mes futbollistit dhe Newcastlet që refuzonte lirimin e tij.
Isak menjëherë pas transferimit te “të kuqtë” iu bashkua Suedisë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026.
Në barazimin ndaj Sllovenisë ai nuk luajti fare, ndërsa i pati 20 minuta ndaj Kosovës në humbjen 2:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të hënën mbrëma.
Isak nuk u inkuadrua në lojë për më shumë minuta pasi mungoi në fazën përgatitore me Newcastlen. Ai ka stërvitur vazhdimisht në mënyrë individuale.
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, foli për këtë të premten.
“Trajneri i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, meriton përgëzime pasi edhe pse e kishte sulmuesin më të mirë në botë dhe kishte nevojë për të në dy ndeshje të rëndësishme, e kurseu. Nëse ai do të luante për 90 minuta në dy ndeshje, ndoshta do të lëndohej për disa javë”, ka thënë trajneri Slot në konferencën për shtyp të premten.
Slot shpjegoi se të njëjtin tretman Isak do ta ketë edhe te Liverpooli.
Ai ka thënë se suedezi nuk do të luajë për 90 minuta derisa të jetë 100 për qind i gatshëm fizikisht.
Isak mund të debutojë për Liverpoolin të dielën ndaj Burnleyt në Premier League.