Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Si u bë Haalandi superyll i futbollit?

Erling Haaland

Herën e fundit kur Norvegjia garoi në Kupën e Botës, Erling Haalandi nuk ishte i lindur.

Edhe pse e ndihmoi Norvegjinë ta siguronte vendin në turne për herë të parë që prej vitit 1998, Haalandi nuk ka arritur vetëm rekord personal. Ai ka kompletuar një mision që e ka mbajtur në shpatulla për vite të tëra, shkruan BBC të dielën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shpresat e shtetit skandinav për ta përfunduar pritjen 28-vjeçare për Botëror janë mbështetur në 25-vjeçarin shumë kohë para se ai t’i shënonte 16 gola në tetë ndeshjet dominuese në kampanjën kualifikuese.

Talenti i sulmuesit të Manchester Cityt ishte vërejtur që nga koha si tinejxher, te skuadra norvegjeze Bryne.

Zhvillimi u bë me kujdes për t’iu përshtatur Haalandit, dhe tani ai ka fituar çdo gjë që mund të fitohet në futboll në nivel klubesh me Cityn. Dhe Haaland po shkëlqen edhe në ekipin përfaqësues.

Haalandi u lind në Yorkshire të Anglisë dhe kishte të drejtë të luante për Anglinë. Por, gjasat që ai ta përfaqësonte vendin ku u lind dhe ku kishte shanse për të fituar në ngjarje të mëdha, ishin të vogla.

Haalandi vendosi të luante për shtetin me 5.5 milionë banorë dhe do ta udhëheqë Norvegjinë edhe në Kupën e Botës.

Ish-përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, ishte pyetur në vitin 2020 nëse ka shanse që Haalandi të luante për “Tre Luanët”. Ai e mbylli këtë çështje shpejt.

“Lojtarët si Haalandi e kanë të qartë se ku duan të luajnë”, kishte thënë Southgate.

Haalandi u lind në Leeds – ku babai i tij, Alf-Inge, luante te skuadra me të njëjtin emër në vitin 2000.

Familja u transferua në Bryne të Norvegjisë tri vjet më vonë, pas pensionimit të Alf-Inges shkaku i lëndimit që e ndali periudhën e tij te Manchester City.

Talenti i Erlingut u zbulua herët dhe ai kaloi nëpër ekipet e të rinjve të Brynes, para se të transferohej te Molde në vitin 2017, duke iu bashkuar klubit që në atë kohë udhëhiqej nga Ole Gunnar Solskjaer.

Solskjaer e ndihmoi Haalandin të kthehej në forcë të sulmit që është sot dhe shpesh ka folur për ish-lojtarin e tij. Ka thënë se i vjen keq që nuk ka mundur ta bindë të transferohej në “Old Trafford”, kur u bë trajner i Manchester Unitedit.

Sulmuesi i ri e mori vëmendjen gjatë kohës te Red Bull Salzburgu, para se të kalonte te Borussia Dortmundi, ku shpejt e vuri veten në skenën botërore.

Kalimi te City

Transferimi i Erling Haalandit në vitin 2022 te Manchester City lidhej edhe me të kaluarën e babait të tij te kjo skuadër dhe dashurinë për futbollin anglez.

“Pavarësisht statusit si superyll global, ai ka mbetur i njëjti djalosh”, ka thënë gazetari norvegjez, Andreas Korssund, për BBC Sport.

“Ai e di saktësisht nga vjen dhe rregullisht e viziton qytetin e tij të vogël në Rogaland. Ai është shumë krenar me rrënjët e tij dhe gjithmonë është i gatshëm për mediumet norvegjeze kur e përfaqëson shtetin e tij”.

Haalandi e ka diskutuar gjithmonë çështjen e ndërtimit të një ferme kur të pensionohet. Ai shpesh viziton Oslon, ku e ka edhe një apartament.

Ai është i dhënë pas historisë së Vikingëve të Norvegjisë dhe është shumë krenar që e përfaqëson shtetin e tij.

Afërsia me trashëgiminë vërehet edhe në fanellën norvegjeze ku shkruan Braut Haaland.

Braut është mbiemri i vajzërisë së nënës së tij, i kombinuar me Haalandin, mbiemrin e babait të tij. Kombinimi i mbiemrave është i zakonshëm në Norvegji.

“Haalandi do të thotë çdo gjë për Norvegjinë”, ka thënë Korssund.

“Ai është bërë superyll i paprecedent në sportin më të popullarizuar në botë. Është madhështore që një shtet me vetëm 5.5 milionë banorë të nxjerrë një prej futbollistëve më të mëdhenj”.

Shpresat e Norvegjisë

Kur Haalandi të hyjë në fushë për Norvegjinë në ndeshjen hapëse ndaj Irakut më 16 qershor, ai nuk do ta mbajë vetëm peshën e një shteti, por edhe të një numri të madh të ish-futbollistëve që nuk përmbushën ëndrrën e Botërorit.

Herën e fundit në një ngjarje madhore, Norvegjia u paraqit në “Euro 2000”, ndonëse kishte në skuadër emra si Morten Gamst Pedersen, John Carew, Brede Hangeland dhe John Arne Riise.

Shumë prej njohësve të futbollit e shohin këtë gjeneratë të artë të Norvegjisë. Në realitet nuk është vetëm Haalandi.

Mesfushori Martin Odegaard është kampion i Premier Leagues me Arsenalin, ndërsa lojtarë shumë kualitativ janë edhe Kristoffer Ajer, Jorgen Strand Larsen dhe Oscar Bobb.   

Por fama e Haalandit i afrohet Lionel Messit apo Cristiano Ronaldos. Dhe Norvegjia nuk ka pasur asnjëherë lojtar si ai.

Ka pasur shumë lojtarë të klasës botërore që nuk kanë luajtur në Botëror.

George Best me Irlandën e Veriut, Ian Rush dhe Ryan Giggs me Uellsin dhe fituesi i “Topit të Artë”, George Weah me Liberinë, nuk luajtën në Botëror. Haalandi i dha fund pritjet.

I gjatë 195 centimetra, me flokë të gjata e të drejta, Haalandi është prej lojtarëve që më së lehti njihet në futboll.

Karizma e tij nisi të shfaqej te City me humorin e tij, shpesh në gjuhën angleze.

Por, Haalandi nuk është tipik hero norvegjez.

“Mendoj se Erlingu në disa gjëra nuk është komplet norvegjez”, ka thënë gazetari norvegjez, Lars Sivertsen.

“Ai ka vetëbesim dhe shpesh mund të jetë i turpshëm. I di vlerat dhe kualitetet e tij dhe e mbështet veten. Skandinavia ka kulturë që ka të bëjë me përulësinë. Erlingu do të ankohej nëse do të ishte në bankën rezervë. Mendoj se kjo nuk është e shprehur te norvegjezët. Kjo e bën atë hero interesant për ne, por do të ketë momente reagimi”.

Pasuria e Haalandit është e pamohueshme dhe gjitha gjërat tjera lidhen me të qenit superyll – shitja e fanellave, interesimi i rritur për Kupën e Botës dhe inspirimi i të rinjve.

“Ai është lloj ndryshe i yllit nga ata që jemi mësuar t’i shohim”, thotë Sivertsen.

“Por është një ndjenjë e jashtëzakonshme krenarie që një lojtar i bën këto gjëra dhe është nga shteti ynë”.