Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Si po e shtyjnë futbollistët e Kosovës “skuadrën nga fshati” drejt Championsit?

Avdullahu, Hajdari e Asllani Hoffenheim

Foto-Iliustrim

Hoffenheimi nuk është prej skuadrave të mëdha gjermane. Në vitin 2000, kjo skuadër luante vetëm në kategorinë e pestë gjermane. Në vitin 2008 arriti për herë të parë në Bundesligë dhe nuk është larguar më. 

Në Evropë, Hoffenheimi për herë të parë ka luajtur në edicionin 2017/18. Në fazën grupore të Championsit për herë të parë dhe të vetme u paraqit në edicionin 2018/19. Është paraqitur në Ligën e Evropës në edicionin 2020/2021 dhe në edicionin 2024/2025.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dhe për herë të pestë në histori, Hoffenheimi do të luajë në Evropë në edicionin e ardhshëm garues, 2026/2027. Ligën e Evropës e ka siguruar, ndërsa e synon Championsin.

Është pak e mundshme që dikujt në Kosovë do t’i interesonte ecuria e Hoffenheimit sikur te kjo skuadër të mos ishin plot tre reprezentues të Kosovës. Madje tre prej më të rëndësishmëve, sulmuesi Fisnik Asllani, mesfushori Leon Avdullahu dhe mbrojtësi Albian Hajdari.

Hoffenheim

Të shtunën në fitoren 2:1 në udhëtim ndaj Hamburgut, me të cilën e konfirmoi vendin në Evropë, Asllani shënoi gol për Hoffenheimin, ndërsa Hajdari asistoi.

“Klubi nga fshati sërish në udhëtim: Pas paraqitjes në edicionet 2017/18, 2018/19, 2020/21 dhe 2024/25, Hoffenheimi është kualifikuar për garat evropiane për herë të pestë në histori të klubit. Fitorja ndaj Hamburgut garanton renditjen në top-gjashtë të tabelës së Bundesligës”, ka shkruar Hoffenheimi në faqen zyrtare.

“Kualifikimi evropian është e arritur fantastike dhe shpërblim shumë i merituar për punën e madhe të ekipit, stafit të trajnerëve, stafit përkrahës dhe të gjithë të përfshirëve”, ka thënë Andreas Schicker, drejtor sportiv i Hoffenheimit.

“Por ka ende ndeshje për të luajtur. Janë edhe nëntë pikë për t’i fituar dhe ne mbesim të uritur. Ne gjithnjë duam të marrim maksimumin. Kështu që i gjithë fokusi është te ndeshja e së shtunës ndaj Stuttgartit”, ka shtuar Schicker.

Ndeshja Hoffenheim – Stuttgart pritet të vendosë për vendin e katërt në Bundesligë, e që siguron kualifikimin në Champions. Por gjasat ekzistojnë që edhe vendi i pestë në Bundesligë të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Kjo do të varet nga rezultatet e Bayernit dhe Freiburgut në Champions, përkatësisht në Ligën e Evropës.

Avdullahu, Hajdari e Asllani janë vendimtarë edhe te Hoffenheimi. Luajnë rregullisht në Bundesligë. Tashmë Hajdari ka firmosur kontratë të re afatgjatë dhe me kushte të përmirësuara me Hoffenheimin. Kontrata e re e Avdullahut pritet të publikohet së shpejti. E Asllani me shumë gjasë në verë do të transferohet te ndonjë klub më i madh evropian.

“Ndihemi shumë mirë që kemi arritur qëllimin për kualifikim në Evropë. Askush nuk do ta besonte këtë para fillimit të edicionit. Tani duam ta fitojmë edhe ndeshjen me Stuttgartin”, ka thënë Fisnik Asllani pas fitores ndaj Hamburgut. 

Pas ndeshjes me Stuttgartin, Hoffenheimi luan në udhëtim ndaj Werder Bremenit dhe në xhiron e fundit sërish në udhëtim ndaj Borussia Monchengladbachut. Pas xhiros së 31-të i ka 57 pikë në vendin e pestë, sa edhe Stuttgarti në të katërtin.  

Është pak e mundshme që dikujt në Kosovë do t’i interesonte ecuria e Hoffenheimit sikur te kjo skuadër të mos ishin plot tre reprezentues të Kosovës