Futboll

Shqiptari i vetëm në elitën sllovake e sheh Kosovën në Botëror

Bleron Krasniqi

Më 26 mars, në ndeshjen e plejofit për Botërorin 2026 kundër Sllovakisë, Kosovën e pret lojë me shumë duele dhe e fortë fizikisht. Futbollistët e Kosovës do të duhej të vraponin shumë për ta bërë hapin tutje drejt Botërorit që verën e ardhshme që organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

Kështu të paktën ka thënë të mërkurën për KOHËN ish-mesfushori i grupmoshave të reja të Kosovës, Bleron Krasniqi.

Krasniqi është 23-vjeçar dhe e njeh mirë kampionatin elitar të Sllovakisë, por edhe përfaqësuesen sllovake.

“Liga e Sllovakisë është ligë shumë fizike dhe shumë e fortë në vrapime. Ka disa ekipe që luajnë futboll të mirë, por shumica luajnë me topin e dytë. Unë po përpiqem që ta ndihmoj ekipin me stilin tim të lojës. Jam më shumë tip i ‘futbollit të rrugës’ dhe deri tash e kanë pranuar shumë mirë”, ka thënë Krasniqi.

Ai është shqiptari i vetëm aktualisht në “Nike Liga” të Sllovakisë, që është liga elitare e këtij vendi. Mesfushori është pjesë e Tatran Preshovit. Ka luajtur shtatë ndeshje në kampionat e në Kupën sllovake. Pret të luajë më shumë në vazhdim.

Marrë për bazë kualitetin e lojtarëve të Kosovës dhe Sllovakisë dhe nivelin ku ata luajnë, Krasniqi e sheh Kosovën në finale të plejofit.

“Unë besoj shumë se Kosova do të fitojë. Jam 100 për qind për Kosovën. Është vetëm një ndeshje, por në të dyja ndeshjet gjithçka është e mundshme”, ka shtuar Krasniqi.

Ai parashikon finale të plejofit me Turqinë. Turqia takohet me Rumaninë në ndeshjen tjetër gjysmëfinale. Për mesfushorin qendror, Kosova ka rast të artë për kualifikim në ngjarjen globale.

“Nuk dyshoj që edhe Turqia do ta fitojë ndeshjen e vet, e pastaj Kosova do të përballet me Turqinë. Kur luhet veç një ndeshje ndaj kombëtareve më të forta, gjasat rriten edhe më shumë sepse vendos vetëm një lojë. Në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Jam i sigurt se nëse Kosova vazhdon të luajë ashtu siç ka luajtur deri tani, ka shumë, shumë gjasa që të kualifikohet për Botërorin 2026”, është shprehur Krasniqi, që shortin për plejofin e Botërorit e ka parë bashkë me shokët e skuadrës.

“E mbaj mend që e kemi shikuar së bashku shortin për ndeshjen Sllovaki - Kosovë, pasi ka qenë menjëherë pas stërvitjes. Kemi qeshur pak, sepse ka qenë shumë interesant. Unë erdha në Sllovaki dhe pikërisht Kosova luan ndaj Sllovakisë. Ka qenë moment shumë i veçantë”.

Krasniqi me Tatran Preshovin e ka një asistim në shtatë paraqitje. Asistimin e pati në humbjen 3:2 nga AS Trençini në shtëpi, në kuadër të xhiros së gjashtë. Ishte edhe ndeshja debutuese për kosovarin.

Ai tregon se është pritur mirë në Sllovaki dhe synon që një ditë të jetë pjesë e Kosovës.

“Është ëndërr e imja dhe jam i bindur që nëse jam shëndosh dhe pa lëndime do ta arrij këtë qëllim”.

Mesfushori, i gjatë 184 centimetra, u lind në Ferizaj, por si futbollist është zhvilluar në Gjermani.

Nga të rinjtë e Iserlohnit në vitin 2015 kaloi te të rinjtë e Schalkes, skuadër tek e cila qëndroi deri në qershor të vitit 2023. Ai luajti për ekipin e dytë të Schalkes, ndërsa në verën e vitit të kaluar kaloi te Kapfenbergu në kategorinë e dytë të futbollit austriak. Tatran Preshovit iu bashkua në verë por është përballur edhe me lëndime që e lanë jashtë për disa ndeshje.

Krasniqi ka gjashtë paraqitje me U16 të Kosovës dhe dy paraqitje e dy gola të shënuar me U21 të Kosovës. Të dyja golat i shënoi ndaj Izraelit në ndeshje kualifikuese për Evropian.