Elversbergu do të bëhet një nga klubet më të vogla që ka luajtur ndonjëherë në Bundesligën e Gjermanisë në futboll. Ky klub e siguroi ngjitjen në elitën gjermane nga Bundesliga 2, me fitore 3:0 kundër Preussen Munsterit të larguar nga kategoria e dytë, të dielën.
Golat e Bambase Conte dhe David Mokwa e sollën Elversbergun në pozitë shumë të volitshme që në pjesën e parë. Mokwa shënoi tjetër gol në mesin e pjesës së dytë për t’i mundësuar Elversbergut të sigurojë vendin e dytë në Bundesliga 2. Kjo pozitë ia siguroi ngjitjen në Bundesligë për edicionin e ardhshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe një popullsi prej rreth 13 mijë banorësh, Spiesen-Elversberg do të jetë qyteti më i vogël që do të përfaqësohet në Bundesligë.
Tifozët pushtuan fushën e stadiumit me kapacitet prej 10 mijë vendesh, kur skuadra festoi ngjitjen e tretë të jashtëzakonshme në pesë vjetët e fundit. Elversbergu ishte pranë ngjitjes në Bundesligë edicionin e kaluar, por u mposht me rezultatin e përgjithshëm 4:3 nga Heidenheimi në ndeshjet e plejautit për Bundesligë.
Klubi i themeluar në vitin 1907 dhe me seli në shtetin e vogël Saarland në Gjermaninë jugperëndimore, luante në kategorinë e katërt deri në edicionin 2021/2022. Deri në edicionin 2023/2024 nuk kishte luajtur asnjëherë në kategorinë e dytë të futbollit gjerman.
Stadiumi i Elversbergut po rinovohet për të përmbushur kërkesat e Bundesligës. Stadiumi pritet të ketë kapacitet prej 15 mijë ulëseve deri në pranverën e vitit 2027.
Schalke, që fitoi titullin në Bundesliga 2, do të kthehet në elitë për edicionin e ardhshëm. Schalke kthehet pas tri vjetësh në Bundesligë.
Në plejaut do të luajnë Wolfsburgu i Bundesligës dhe Paderborni i Bundesligës 2.
Elversbergu është klubi i 59-të që do të garojë në Bundesligë. Dhe për shumë gjëra do të jetë unik në kampionatin gjerman. Qyteti nuk ka stacion të trenit, shkruan “Blick”. Si zhveshtore janë modifikuar disa kontejnerë.
Tek Elversbergu në edicionin 2024/2025 luajti Fisnik Asllani, sulmuesi i Kosovës. Elversbergu ka arritur promovimin, ndonëse prej këtij klubi janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm në vitet e fundit. Klubi nuk shpenzon shumë në transferime, por i duhen ato nëse synon të qëndrojë më gjatë në kampionatin gjerman.