Bekim Zogaj do të ndajë drejtësinë në Kampionatin Evropian të futbollit “Gjermania 2024”.
Zogaj 44-vjeçar, për herë të parë do të jetë në një ngjarje kaq të madhe futbolli.
UEFA të martën përzgjodhi arbitrat për Euro 2024, ndërsa Zogaj është pjesë e ekipit të zviceranit Sandro Schaerer, si gjyqtar anësor.
Zvicra për herë të parë që nga viti 2010 ka ekip arbitrash në ngjarje të madhe futbolli. Stephane De Almeida është ndihmësi tjetër i Schaererit. Zvicra e ka edhe një arbitër në VAR.
“Jemi të lumtur që puna e vazhdueshme e Sandro Schaererit dhe ekipit të tij po shpaguhet”, ka thënë Dani Wermelinger, udhëheqës i arbitrave në federatën zvicerane të futbollit.
“Ata kanë investuar shumë dhe kanë rekomanduar veten me paraqitje të vazhdueshme të mira në nivel nacional dhe ndërkombëtar”, ka shtuar zyrtari i federatës zvicerane.
Zogaj ka kohë që drejton ndeshje elitare të Zvicrës dhe të kupave evropiane.
Tani do të prezantohet në Evropian, ngjarjen shumë të përcjellur.