Futboll

Shqipëria fiton “ndeshjen festive” ndaj Jordanisë

Shqipëria

Pas fitores së madhe 1:0 kundër Serbisë të shtunën në Leskovc, Shqipëria, të martën mbrëma shënoi tjetër fitore për të kompletuar festën para ndeshjeve shumë të rëndësishme të nëntorit, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Shqipëria arriti fitore me rezultat 4:2 kundër Jordanisë në miqësoren e luajtur në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Pjesa e parë përfundoi baras, 1:1. Por në pjesën e dytë, Shqipëria realizoi tri gola për ta mbyllur grumbullin e këtij muaji me fitore 4:2.

Nazir Al Rashdan në minutën e 27-të kaloi Jordaninë në epërsi. Por pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë, Shqipëria e drejtuar nga trajneri brazilian, Sylvinho, shënoi golin e barazimit.

Në fakt, Shqipëria barazoi shifrat falë autogolit të futbollistit, Mo Abualnadi.

Sylvinho në pjesën e dytë bëri disa ndryshime. Në fushë fillimisht u inkuadruan Ylber Ramadani, Klisman Cake dhe Nazmi Gripshi. Për dy të fundit ishte ndeshje debutuese me fanellën kuqezi.

Por pas hyrjes së Armando Brojës në vend të Mirlind Dakut në minutën e 61-të, loja e Shqipërisë ndryshoi plotësisht. Katër minuta pasi hyri në fushë, Broja, shënoi golin e epërsisë 2:1. Aistoi Kristian Aslllani.

Golin për 3:1 e shënoi Arbër Hoxha. Në të vërtetë ishte supergol nga Hoxha. Ai pranoi një top nga Nazmi Gripshi, u lirua nga një lojtar kundërshtar dhe me goditje të fortë nga distanca shënoi supergol në minutën e 75-të. Për futbollistin e Dinamo Zagrebit është goli i parë me fanellën kuqezi.

Sylvinho bëri dy zëvendësime tjera pas golit të tretë. Në fushë u inkuadruan Elseid Hysaj dhe Naser Aliji. Hysaj u prit me duartrokitje nga shikuesit e pranishëm në tribuna. Hysaj u bë lojtari me më së shumti paraqitje te Shqipëria. Me 94 paraqitje, kaloi Lorik Canën.

Broja pas golit të shënuar doli sërish në skenë. Pasi kaloi dy mbrojtës kundërshtarë, pasoi te Nedim Bajrami, i cili realizoi golin e katërt për Shqipërinë.

Kur pritej sinjalizimi i gjyqtarit për përfundimin e takimit, Shqipëria pësoi tjetër gol nga Jordania. Ishte goli i dytë në humbjen 4:2.

Golin e dytë për Jordanin e shënoi Ali Olwan në minutën e 90-të.

Me fitoren 1:0 ndaj Serbisë, Shqipëria ka bërë hap të madh drejt plejofit për kualifikim në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Zë vendin e dytë me 11 pikë në Grupin K.

Më 13 nëntor, Shqipëria e ka ndeshjen e parafundit. Luan në udhëtim ndaj Andorrës, kurse më 16 nëntor e pret në Tiranë favoriten e grupit, Anglinë.

Lexo përditësimet tjera
Mirlind Daku

Daku udhëheq sulmin e Shqipërisë ndaj Jordanisë

Sulmuesi Mirlind Daku do të paraqitet nga minuta e parë për Shqipërinë në ndeshjen miqësore kundër...