Futboll

Shifrat e veçanta të “Dardanëve” në top-ligat evropiane

Elvis Rexhbeçaj

“Një lojtar 26-vjeçar që ka luajtur 159 ndeshje në Bundesligë ende është pa përfaqësuese”. 

Kështu shkruanin dy vjet më parë mediumet në Gjermani për Elvis Rexhbeçajn. Shumë gjëra kanë lëvizur në drejtimin e duhur prej atëherë për mesfushorin. Rexhbeçaj tani është pjesë e rëndësishme e Kosovës, ndërsa të dielën e arriti shifrën e 201 ndeshjeve në kampionatin gjerman. Ai madje shënoi gol. 

Ishte goli i 11-të për mesfushorin defensiv në Bundesligë, kurse i ka edhe nëntë asistime. Shifrën prej 201 ndeshjeve Rexhbeçaj e arriti me skuadra si Wolfsburg, Koln, Bochum dhe Augsburg.  
Por Rexhbeçaj nuk është lojtari i vetëm i Kosovës që ka shifër jubilare të ndeshjeve, ka kaluar apo u është afruar atyre. Dhe në këtë llogaritje u morën për bazë vetëm ligat më të mëdha evropiane të futbollit.

Numër të madh të ndeshjeve në pesë ligat më të forta evropiane kanë edhe Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Mërgim Vojvoda e Milot Rashica. 

Afro 100 ndeshje në Francë dhe Itali ka edhe Edon Zhegrova. Aro Muriq po bashkohet në këtë listë gradualisht. 

“Vlerësim maksimal për ta. Në futboll e fiton atë që e investon, jo atë që e dëshiron. Dhe djemtë kanë investuar, njësoj si klubet, në këtë rast edhe Federata, ngase këto janë të lidhura. Paraqitja e tyre në klube ua mundëson që të jenë pjesë e Kombëtares. Por edhe në Kombëtare kanë treguar paraqitje të mira. Kështu që kanë krijuar një stabilitet edhe nëpër klube. Dhe kur kalohen këto shifrat e 100 e 200 ndeshjeve, atëherë vërtet është për t’u respektuar. Aq më tepër kur luajnë në ligat më të fuqishme”, ka deklaruar për KOHËN, drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti. 

Rexhbeçaj debutoi te Kosova në shtator të vitit 2024, ndërsa tani i ka 14 paraqitje e dy gola të shënuara.   

Pas Rexhbeçajt, me më së shumti paraqitje në top-ligat evropiane është kapiteni Amir Rrahmani. Mbrojtësi i ka 196 ndeshje për Veronën dhe Napolin në Serie A. I ka 12 gola të shënuar e gjashtë asistime. Ka dy tituj e një Superkupë të Italisë me napolitanët. 

Rrahmani është edhe prej lojtarëve me më së shumti paraqitje te Kosova. Në 66 ndeshje i ka realizuar shtatë gola për “Dardanët”. 

Vedat Muriqi ka 166 paraqitje për Mallorcan në La Liga dhe Lazion në Serie A. Muriqi realizoi “hat-trick” të shtunën për Mallorcan dhe i është afruar rekordit historik të ish-sulmuesit, Samuel Eto’o, në elitën spanjolle. Muriqi ka edhe 10 asistime për Mallorcan në La Liga, kurse një gol e një asistim i kishte në Serie A me Lazion. 

Sulmuesi kishte shkëlqyer edhe në elitën turke  me 112 paraqitje, 37 gola e 14 asistime. Muriqi është bindshëm golashënuesi më i mirë te Kosova, me 32 gola në 66 paraqitje. 

Një mbrojtës me përvojë nga Serie A, një mesfushor me përvojë në Bundesligë dhe një sulmues me shumë ndeshje e gola në La Liga, e përbëjnë boshtin e ekipit të Kosovës. 

“Përzierja e lojtarëve është shumë i mirëseardhur te ne në Kombëtare, ngase futbolli është universal. Pavarësisht që dallon liga e Italisë prej atyre të Spanjës, Gjermanisë, pozitat në lojë janë të njëjta. Kërkesat në lojë janë të njëjta. Tani edhe kjo na ndihmon që ta bëjmë atë përzierjen edhe në Kombëtare, duke përdorur edhe vrapimin, forcën, teknikën dhe taktikën. Kur gërshetohen këto, atëherë vërtetë funksionon. Kështu ka funksionuar te ne. Përdorimi i lojtarëve nga ligat e ndryshme ka rezultuar që të kemi suksese”, ka shtuar Sahiti. 

Mërgim Vojvoda me Torinon dhe Comon në Serie A ka 155 paraqitje. Vojvoda pritet të luajë edhe të hënën ndaj Lazios. Vojvoda ka 71 paraqitje me Kosovën, si asnjë tjetër.  

Milot Rashica në Bundesligë dhe Premier League ka zhvilluar 118 ndeshje në total. Me Werder Bremenin në elitën gjermane ka 87 ndeshje, kurse 31 paraqitje i ka me Norwichin në elitën angleze. 
Në Gjermani, Rashica i kishte 21 gola e 17 asistime, kurse një gol e dy asistime i pati në Angli. 
Rashica e ka kaluar shifrën e 100 paraqitjeve me Beshiktashin e Vitessen. 30 paraqitje i kishte edhe me Galatasarayn, skuadër me të cilën e fitoi titullin në Turqi.  

Edon Zhegrova ka 90 paraqitje në top-liga, përkatësisht në Ligue 1 dhe Serie A, me Lillen dhe Juventusin. 

Në 80 ndeshje në kampionatin francez pati 15 gola e 13 asistime, ndërsa 10 paraqitje tashmë i ka me Juventusin.  

Portierit Arijanet Muriq i duhen edhe dy ndeshje për ta arritur shifrën e 50 paraqitjeve në Premier League dhe Serie A. 28 i ka në elitën angleze, e 20 në atë italiane. Është i pazëvendësueshëm te Kosova. 

Sahiti ka theksuar se në krah të futbollistëve me përvojë po përfitojnë edhe lojtarët e rinj. 

“Fatmirësisht që i kemi këta lojtarë që kanë përvojën dhe mbi të gjitha janë edhe karakter. Edhe ata po i pranojnë jashtëzakonisht mirë lojtarët e rinj. Kjo ka ndikuar që mundësinë ta shfrytëzojnë edhe lojtarët e rinj, si Gallapeni, i cili ka bërë paraqitje të jashtëzakonshme, jo vetëm jashtë fushës, por edhe në fushë. Prandaj jemi me fat që i kemi këta lojtarë që e kanë përvojën në këto gara dhe po shpresojmë që në të ardhmen të kemi edhe më shumë ngritje”. 

Të tjera gola e asistime, e më shumë paraqitje pritet të kenë futbollistët e Kosovës në vazhdim të kampanjës, para ndeshjes gjysmëfinale të plejofit për Botërorin 2026. Më 26 mars Kosova luan në Bratislavë ndaj Sllovakisë. Në rast të fitores e pret në “Fadil Vokrri” fituesin e ndeshjes Turqia – Rumania, në finalen e 31 marsit.