Trajneri Orges Shehi ka kërkuar angazhim e përqendrim nga të gjithë futbollistët e Ballkanit për ndeshjen kthyese të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj Shamrock Roversit.
Ballkani, pjesëmarrës në dy edicione rresht të fazës grupore të Ligës së Konferencës, e fitoi 1:0 ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Tani i duhet edhe një rezultat tjetër pozitiv për të arritur në fazën e plejofit të garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.
Ndeshja Shamrock Rovers – Ballkani luhet të enjten nga ora 21:00, në stadiumin “Tallaght”, në Dublin.
“Vijmë këtu pas fitores 1:0 në ndeshjen e parë dhe e dimë se nesër na pret një përballje vendimtare. Duhet të ruajmë të njëjtin angazhim dhe përqendrim, për të qenë edhe më afër kualifikimit”, ka deklaruar Shehi të mërkurën për faqen zyrtare të Ballkanit.
Ai ka bërë të ditur se vetëm qendërmbrojtësi Ivica Batarelo, i cili u lëndua në ndeshjen e parë, nuk është i gatshëm për lojë.
Trajneri Shehi pret ndeshje të fortë.
“Presim një kundërshtar më agresiv që do të kërkojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës, por kemi marrë masat e duhura për t’iu përgjigjur”.
Ballkani në kualifikimet e kupave evropiane merr pjesë prej edicionit 2022-23. Që në debutim e siguroi fazën grupore të Ligës së Konferencës, e të njëjtin sukses e përsëriti edhe në edicionin pasues. Në edicionin e kaluar u ndal në rrethin e tretë kualifikues të kësaj gare nga Larne e Irlandës së Veriut.
Shamrock Rovers është skuadër nga Irlanda dhe më e suksesshmja në atë vend.
Tekniku i skuadrës irlandeze, Stephen Bradley, ka kërkuar qetësi për ndeshjen kthyese. Ai ka deklaruar se duhet shfrytëzuar shanset që u vijnë për të shpresuar në kualifikim.
“E dimë se krijojmë shanse dhe shënojmë gola, por kësaj radhe duhet të jemi të qetë dhe të relaksuar. Nuk kemi nevojë të ngutemi prej minutës së parë. Duhet ta respektojmë kundërshtarin, por kur t’i kemi momentet tona, duhet t’i ndëshkojmë. Fokusi është të provojmë dhe ta fitojmë ndeshjen”, ka deklaruar Bradley të mërkurën, shkruan “RTE.ie”.
Ballkani në rrethin e dytë kualifikues e eliminoi Florianan e Maltës me rezultatin e përgjithshëm 5:3. Sunday Adetunji i kishte shënuar tre gola e një asistim në dy ndeshje, ndërsa Bleart Tolaj i kishte realizuar dy të tjerë. Adetunji e kishte shënuar golin e fitores ndaj Shamrockut edhe javën e kaluar.
Shamrock Rovers në rrethin e dytë kualifikues e kaloi St Josephsin e Gjibraltarit.
Fituesi i këtij ballafaqimi luan me fituesin e ndeshjes Santa Clara të Portugalisë – Larne të Irlandës së Veriut. Skuadra portugeze fitoi 3:0 në ndeshjen e parë.