Futboll

Shaqiri udhëhoqi Baselin drejt titullit të pritur gjatë

Basel

I udhëhequr nga Xherdan Shaqiri, Baseli të dielën fitoi  titullin e kampionit të Zvicrës në futboll, të cilin e ka pritur gjatë.

Baseli e siguroi titullin të dielën, të cilin e priste nga viti 2017 pas barazimit të Servettes 0:0 në shtëpi kundër Young Boysit. Ky rezultat ia mundësoi Baselit të fitojë titullin e 21-të, tri xhiro para fundit.

33-vjeçari Shaqiri ka shkëlqyer te Baseli, skuadër ku u rrit si futbollist. Shaqiri iu bashkua Baselit në gushtin e vitit të kaluar pas tri edicioneve të kaluara te Chicago Fire. Ai dhe lojtarët e tjerë festuan të dielën deri vonë. Por, festa e madhe do të jetë në fundin e këtij edicioni, kur kapiteni Shaqiri do ta pranojë Kupën.

“Ky do të jetë udhëtimi më i mirë për në shtëpi në karrierën time si lojtar i Baselit”, ka thënë Shaqiri përpara se të hipte në autobusin e Baselit pas fitores 5:2 ndaj Luganos.

Shaqiri realizoi “hat-trick” për më pak se dhjetë minuta të shtunën, kur Baseli fitoi 5:2 në udhëtim te Lugano, pavarësisht se për një periudhë të lojës luajti me një futbollist më pak në fushë. Goli i dytë ishte instinktiv, pas një gjuajtjeje thuajse të ngjashme si ajo në Kampionatin Evropian 2024 kundër Skocisë.

Për Baselin ishte fitorja e shtatë rresht në ligë. Kjo bëri që Baseli t’i shkonte titullit deri në fund, pavarësisht se gara ishte shumë e fortë dhe përfshinte të paktën pesë ekipe. Shaqiri shkëlqeu me nëntë gola dhe tetë asistime në ecurinë e shtatë fitoreve të njëpasnjëshme. Vetëm në ligë, ai tani i ka 18 gola dhe 20 asistime, që është forma më e mirë e shfaqur në kampionatin zviceran.

Lideri i Baselit tani e ka fituar ligën e Zvicrës në secilën prej katër sezoneve të kaluara me Baselin. Tre titujt e parë të fituar kishin nisur kur ai ishte 18-vjeçar, në vitin 2010. Prej asaj kohe, Baseli më pas dominoi në Zvicër duke fituar tetë tituj. Kjo ecuri u ndal në vitin 2017.

Shaqiri u largua nga Baseli në vitin 2012 për t’iu bashkuar Bayern Munichut, skuadër me të cilën e fitoi njërën prej dy medaljeve që i ka në Ligën e Kampionëve. Medalja e dytë u fitua sa ishte pjesë e Liverpoolit në vitin 2019.

Baseli do të luajë në plejofin e kualifikimeve për në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Do të luajë në gusht, kurse vendi i dytë në ligë do ta nisë kampanjën kualifikuese të Championsit në muajin korrik. Do t’i duhet t’i mposhtë tre kundërshtarë për të avancuar në ligën e formatit me 36 skuadra.

Baseli në këtë edicion u drejtua nga ish-mesfushori i Zvicrës, Fabio Celestini, i cili në krye të skuadrës erdhi në tetor të vitit 2023. Skuadra e Baselit në atë kohë ishte në vendin e fundit.