Futboll

Shaqiri mund të kthehet në “Fadil Vokrri”, por vetëm si shikues

Xherdan Shaqiri

Kur Xherdan Shaqiri ishte me Zvicrën për ta zhvilluar ndeshjen e tij të parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ishte larguar me përshtypjet më të mira. Për të ishte njëra prej ndeshjeve më të veçanta dhe një ëndërr e realizuar e tij. Ndeshja kualifikuese e Evropianit 2024 mes Kosovës dhe Zvicrës ishte zhvilluar më 9 shtator 2023. Ishte mbyllur 2:2. Shaqiri ishte zëvendësuar në minutën e 84-t mes duartrokitjesh. Ai mund të kthehet sërish në Prishtinë. Jo si lojtar i Zvicrës, por si shikues.

Shaqiri nuk e ka pasur rastin të paraqitej për Kosovën, pavarësisht dëshirës që kishte. Por për KOHËN kishte thënë se dëshirë e ka që ta shoh Kosovën të kualifikuar në ngjarje madhore, Evropian apo Botëror.

Në fakt, Kosova është në rrugë të mirë për t’u kualifikuar në Botërorin e vitit 2026 në Kanada, Meksikë e SHBA, nëpërmjet plejofit apo direkt nga vendi i parë i Grupit B.

Kosova e dyta i ka shtatë pikë në grup. Më 15 nëntor luan në udhëtim te Sllovenia, kurse ndeshjen e fundit e luan ndaj Zvicrës më 18 nëntor. Zvicra i prin grupit me dhjetë pikë. E treta është Sllovenia me tri pikë, derisa Suedia ka vetëm një pikë në vendin e fundit.

“E shikoj çdo ndeshje të Zvicrës, me plot emocione. Mund që të udhëtojë në Kosovë si spektator për ndeshjen e fundit të kualifikimeve të Kupës së Botës”, ka thënë Shaqiri në një intervistë të gjatë dhënë për mediumin zviceran “Tages-Anzeiger” të shtunën. 

Shaqiri u tërhoq nga Përfaqësuesja e Zvicrës pas 125 ndeshjeve të luajtura e 32 golave të shënuar. Dhe nuk do të kthehet as për Botërorin 2026.

Ai është pyetur nëse e përjashton mundësinë e kthimit. “Po e them tani, e përjashtoj këtë mundësi”, është shprehur shkurt Shaqiri. 

34-vjeçari është futbollist me shumë përvojë.

Dy herë është fitues i Ligës së Kampionëve me Bayern Munichun e Liverpoolin, tri herë kampion i Bundesligës me Bayern Munichun, një herë i Premier Leagues me Liverpoolin, në mesin e shumë trofeve të tjerë të fituar.

Aktualisht është te Baseli, skuadra e fëmijërisë. U kthye te klubi i madh zviceran në verën e vitit të kaluar, ndërsa ndihmoi skuadrën ta fitojë titullin dhe Kupën e Zvicrës.