Plot 28 ndeshje janë luajtur në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. 16 të tjera janë zhvilluar në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës dhe plot 48 në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Në ndeshjet e luajtura këtë javë dhe javën e kaluar ishin disa rezultate interesante. Për shembull, Hamrun Spartans i Maltës dhe Zhalgirisi i Lituanisë gjuajtën plot 28 penallti. Në fund Hamrun Spartans fitoi 11:10 në penallti.
HJK Helsinki i Finlandës pësoi 4:0 në ndeshjen e parë me NSI të Ishujve Faroe. Por fitoi plot 5:0 në ndeshjen e kthimit, të enjten mbrëma, dhe avancoi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ishin edhe disa fitore të thella, përkatësisht humbje të rënda. Por asnjë si ajo e Malishevës.
Malisheva luajti njërën prej ndeshjeve të fundit të raundit të parë kualifikues të kupave evropiane për klube. Dhe e pësoi humbjen bindshëm më të thellë. Të enjten mbrëma në Reykjavik të Islandës, skuadra kosovare pësoi 8:0 nga Vikinguri. Malisheva kishte humbur 1:0 në Prishtinë më 10 korrik dhe me rezultatin e përgjithshëm 9:0 u eliminua që në raundin e parë.
Në raundin e parë kualifikues të Championsit humbja më e thellë ishte ajo e Egnatias nga Breindabliku i Islandës, 5:0. Në Ligën e Evropës, Shakhtar Donetsku e shënoi një fitore 6:0 ndaj Ilvesit të Finlandës.
Në Ligën e Konferencës ishin dy humbje 5:0, por që nuk e rivalizojnë humbjen shumë të thellë të Malishevës.
Në raundet e para kualifikuese cilësia e skuadrave konsiderohet të jetë e përafërt. Për këtë arsye nuk paraqiten skuadrat e mëdha evropiane, që garimin evropian e fillojnë në faza të mëvonshme.
Megjithatë në çdo edicion ka fitore apo humbje të thella. Për këtë edicion, sa i takon raundit të parë, Malisheva kaloi më së keqi.
Malisheva u kualifikua për gara evropiane si e treta në Superligën e Kosovës. Në skenën kontinentale debutoi vjet, kur u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Kishte fituar 1:0 ndaj Buduqnostit të Podgoricës në Prishtinë, por më pas humbi 3:0 në Podgoricë.
Me Vikingurin paraqitja e parë ishte solide, përkundër humbjes 1:0. Por të enjten malishevasit dështuan plotësisht. Fillimisht nuk kishin përgjigje në lojën në ajër të islandezëve e më pas thuajse u “shpërbënë” në tërësi.
Sa u takon ekipeve kosovare në kupa evropiane, ka pasur humbje 5:0, 6:1. Llapi kishte pësuar 6:0 nga Brondby danez, por tani Malisheva e ka humbjen bindshëm më të thellë.
“Ne thjesht i kemi dënuar ata dhe kemi luajtur shumë mirë. Ishte po ashtu shumë mirë që ishim në gjendje të pushojmë disa lojtarë pasi shënuam pesë gola. Kemi ndeshje të madhe të dielën dhe kjo ishte e shkëlqyer. Në këtë ndeshje çdo gjë funksionoi për ne. Secili rast dhe secili sulm thuajse përfundoi me gol. Është e shkëlqyer të fitosh kështu në shtëpi”, ka thënë sulmuesi i Vikingurit, Nikolaj Hansen, që realizoi “hat-trick” që në pjesën e parë.
“Është çmenduri. Është jashtëzakonisht argëtuese të luash në Evropë dhe sidomos kur shënon tetë gola në shtëpi”, ka thënë Sveinn Gisli Thorkelsson, që shënoi golin e fundit për Vikingurin islandez.
Derisa për Malishevën ishte humbje rekorde, për Vikingurin ishte fitore rekorde. Asnjë ekip islandez nuk ka fituar kaq thellë ndeshje evropiane.
Gjatë historisë megjithatë ka pasur humbje dukshëm më të thella në kupa evropiane. Janë të evidentuara edhe humbje 16:1, 14:0. Kjo ndoshta mund të jetë një lloj ngushëllimi për skuadrën kosovare.