Xhiroja e 14-të në Serie A do të karakterizohet me derbin e madh mes Napolit dhe Juventusit.
Ndeshja luhet të dielën nga ora 20:45 në “Stadio Diego Armando Maradona”.
Përballë do të jenë dy reprezentuesit e Kosovës, Amir Rrahmani me Napolin dhe Edon Zhegrova me Juven.
Do të jetë përballje e veçantë edhe për dy trajnerët.
Trajner i Napolit është Antonio Conte, kurse Juven e drejton Luciano Spalleti.
Conte ka punuar te Juve nga viti 2011 deri në vitin 2014. Gjatë kësaj periudhe ka fituar tre herë titullin e kampionit me “Zonjën e Vjetër”. Titull të fituar ka edhe me Napolin.
Spalleti ishte shef i shtabit teknik te napolitanët nga viti 2021 deri në vitin 2023. 66-vjeçari Spalletti e udhëhoqi Napolin drejt titullit të kampionit në edicionin 2022/23.
Napoli ka katër fitore radhazi në të gjitha garat. Ka 28 pikë në vendin e dytë. Milani me pikë të njëjta është lider.
Juve ka 23 pikë në pozitën e shtatë.
Napoli ka fituar pesë nga shtatë ndeshjet e fundit kundër Juventusit. Gjithashtu Napoli është i pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi. Ka mbajtur portën e paprekur në tri nga pesë ndeshjet e fundit, duke pësuar tre gola gjatë kësaj periudhe.
“Zonja e Vjetër” nuk di për humbje në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ka pesë fitore dhe tri barazime.
Juventusi është skuadra që ka fituar më së shumti ndeshje, 71, dhe ka shënuar më së shumti gola, 228, kundër Napolit në Serie A.
Në total mes dy skuadrave janë zhvilluar 184 ndeshje. Juve prin me 85 fitore, Napoli ka 48 fitore dhe 51 ndeshje nuk kanë dhënë fitues.
Ndeshje interesante është edhe ajo mes Interit dhe Comos. Kjo ndeshje luhet të shtunën nga ora 18:00.
Interi ka 27 pikë në vendin e tretë. Como ka tri pikë më pak në pozitën e pestë.