Trajneri i kampiones së Kosovës në futboll, Dritës, Zekirija Ramadani, ka paralajmëruar spektakël në tribuna nga shikuesit. Por ai nuk dëshiron të ketë spektakël në fushë. Trajneri shkupjan kërkon nga lojtarët e Dritës angazhim maksimal për ta siguruar kalimin në plejofin e Ligës së Evropës.
Ndeshja Drita – FCSB zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Është ndeshja kthyese e raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja nis në orën 20:00 dhe do të transmetohet në KTV.
“Jam i bindur se në tribuna do të ketë spektakël. Vitin e kaluar ishim në plejof, por tani synojmë kualifikimin në Ligën e Evropës, por sukses do të ishte edhe paraqitja në Ligën e Konferencës. Në fushë nuk dua spektakël, dua fitore për të siguruar kualifikimin tutje”, ka thënë Ramadani.
Drita ishte duke fituar 2:0 ndaj FCSB-së. Por kampioni rumun mbylli ndeshjen me fitore 3:2.
“E dimë se ndeshja e kthimit është më e vështirë se e para. Kemi bërë analizën tonë. Jemi mundur të përmirësojmë defektet që i kishim në ndeshjen e parë. Është e rëndë, sidomos në aspektin psikologjik të humbësh nga 2:0 në 3:2. Nga ana jonë pritet një ndeshje agresive në aspektin sportiv. Duhet të japim gjithçka nga vetja. Gabimet që i kemi bërë në ndeshjen e parë nuk duhet të përsëriten. Me gjithë respektin për kundërshtarin, qëllimi ynë është të paraqitemi në plejofin e Ligës së Evropës”, ka thënë Ramadani.
Ramadani ka insistuar se u mungoi eksperienca në ndeshjen e parë. Por ai thekson se Drita në të kaluarën ka dëshmuar se është skuadër që kthehet pas humbjes.
“Kemi kualitet. E kemi dëshmuar se nga një ndeshje e tillë mund të kthehemi. Kemi marrë mësim që nuk duhet të dorëzohemi edhe nëse jemi duke humbur. Besoj në kualitetin e ekipit se mund t’ia dalim”, është shprehur Ramadani.
Ai ka theksuar se FCSB-ja do të pritet mirë gjatë dhe pas ndeshjes.
“Jam i bindur se ata do t’i presim më mirë se juve. Do të jetë një pritje e mirë. E kemi obligim t’i presim dhe t’i përcjellim mirë. Ashtu jemi pritur edhe ne. Jam i bindur se edhe ju do të kaloni mirë”, i është përgjigjur Ramadani një gazetareje të një mediumi rumun.
Interesimi i mediave të Rumanisë ishte i madh si në konferencën e FCSB-së ashtu edhe Dritës.
FCSB do të jetë pa Florin Tanasen, lojtarin që trajneri Ramadani e sheh si më të mirin në ekipin rumun. Ai është i suspenduar dhe nuk do të paraqitet në ndeshjen kthyese. FCSB ka edhe disa mungesa të tjera.
Përkrah Ramadanit në konferencë ishte edhe Besnik Krasniqi. Mbrojtësi Krasniqi është një nga lojtarët kryesorë të Dritës.
Krasniqi e vlerëson të vështirë ndeshjen ndaj kampionit rumun.
“Kemi bërë analizën tonë dhe jemi munduar të përmirësohemi. Është ndeshje e vështirë dhe duhet të jemi më të vëmendshëm në ndeshjen kthyese dhe të kalojmë në plejofin e Ligës së Evropës”, ka thënë Krasniqi.
Ai thotë se gjasat për kalim tutje në kualifikimet e Ligës së Evropës, janë reale.
“Ne gjithmonë bëjmë atë që na thotë trajneri. E japim më të mirën në fushë. Kemi luajtur mirë 70 minuta dhe duhet ta rrisim edhe më shumë intensitetin e lojës. Nëse e bëjmë një gjë të mirë, mendoj se kemi shumë gjasa të kalojmë tutje. Besojmë te grupi. Kemi treguar karakter dhe atë duhet ta tregojmë edhe të enjten”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se synimi i Dritës është ta mbyllin ndeshjen gjatë 90 minutave. Por, sipas tij, Drita është gati edhe për vazhdimet dhe penalltitë.
Nëse kalon kampionin rumun, Drita në plejofin e Ligës së Evropës do të përballet me ekipin skocez, Aberdeen.