Futboll

Ramadani i bindur se Drita do të kthehet në rrugën e duhur

Zekirija Ramadani

Vera ishte e suksesshme për Dritën e Gjilanit. Skuadra e Zekirija Ramadanit shkroi histori duke u kualifikuar në fazën e ligës në “Conference League”.

Por “shkëlqimin” në garat evropiane Drita nuk po e ka në garat vendore. Të paktën nuk e ka pasur deri më tani.

Në Superligë kampionia në fuqi i ka luajtur tri ndeshje. Nuk ka shënuar ende fitore. Ka një humbje e dy barazime. Dy pikë nga tri ndeshje vlerësohen pak për skuadrën që synim e ka mbrojtjen e titullit.

Ende pa siguruar fazën e ligës në Konferencë, Drita pësoi 1:0 nga Ferizaj, në kuadër të xhiros së parë. Pas dy fitoreve ndaj Differdanges së Luksemburgut në plejofin e Ligës së Konferencës, gjilanasit iu kthyen ndeshjeve kampionale. Më 1 shtator barazuan 1:1 në udhëtim te Llapi.

Pas pushimit për ndeshje ndërkombëtare, Drita luajti 2:2 me Prishtinën në “Fadil Vokrri”. Kjo ndeshje u luajt të dielën.

Trajneri i Dritës, Ramadani, ka drejtuar gishtin kah sulmuesit për mungesë të fitoreve në Superligë.

Sipas tij, tri ndeshjet kanë karakteristika të ndryshme. Ramadani ka thënë se ndaj Ferizajt skuadra ishte e lodhur për shkak të sfidave evropiane.

“Ndonjëherë kur e sheh se nuk mund të fitosh është mirë që të mos e humbësh takimin, por ja që atë takim e humbëm”, ka thënë Ramadani të martën për KOHËN.

Ndeshjen e dytë kampionale Drita e luajti ndaj Llapit në Podujevë.

“Ndeshje në një fushë të vështirë. Ishim në disavantazh, arritëm që pas minutës së 50-të të kemi gjithçka nën kontroll edhe pse në pjesën e parë patëm dy apo tri raste të mira shënimi që nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Por barazuam dhe pas barazimit patëm edhe një rast të qindpërqindtë me Arb Manajn. Megjithatë nuk arritëm të shënonim. Në fund ishte një rezultat real. Nuk kishim as volum të lojës në atë ndeshje”.

Për barazimin ndaj Prishtinës, Ramadani merr përgjegjësinë.

“Ishim në avantazh  për 70 minuta. Normal që fajin e ka gjithë trajneri kur nuk arrin të fitosh, por ishte meritë edhe e futbollistëve rezervë që u futën te Prishtina. Ata i dhanë një volum më të lartë ekipit të Prishtinës. Arritën të barazojnë, kishin mundësi që ta përmbysnin edhe krejt rezultatin. Ndoshta aty nuk ishte fati me ne, por jam i kënaqur me lojën, angazhimin, kjo është që duhet të jetë. Ne duhet ta kemi posedimin e topit, duhet të ndërtojmë”, ka thënë tekniku shkupjan.

Klubi nga Gjilani ka pranuar katër gola në tri ndeshje. Ka shënuar tre gola.

“Një gjë që nuk na ngjan neve janë këta katër golat e pranuar, ku e dimë që në vitin e kaluar ishim mbrojtja më e mirë në kampionat. Ndërsa tani për tri ndeshje kemi katër gola të pranuar. Nuk është faji as i portierit Faton Maloku, por as i mbrojtjes, sepse mbrojtja fillon nga sulmi. Sulmi ynë nuk i ka ndihmuar mbrojtjes për të qenë sa më pak e prekur porta jonë”, ka thënë Zekirija Ramadani.

Drita të mërkurën nga ora 15:00 e luan ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë kundër Drenicës, në shtëpi.

47-vjeçari Ramadani shpreson që ndaj Drenicës t’i fitojnë pikët e plota.

“Ne në çdo takim shpresojmë dhe punojmë për të arritur objektivin. Objektivi i çdo ndeshje janë tri pikët. Ndeshja me Prishtinën më ka pëlqyer shumë, dominimi total, ndërtimi i aksioneve ashtu siç kemi punuar. Nëse ne e përsërisim të njëjtën lojë, dhe duhet, e kemi obligim moral e profesional që ta përsërisim të njëjtën lojë, patjetër që fitorja do të vijë. Në një ndeshje mund të mos kesh fat, por në ndeshjen tjetër pa dyshim që me punë, angazhim edhe fatin e kthen nga ana jote. Jam i bindur se ekipi do të reflektojë. Kjo është ndeshja jonë e parë para tifozëve në Gjilan dhe shpresoj t’i fitojmë tri pikët”.

Kundërshtarët e Dritës në fazën e ligës në Konferencë janë AZ Alkmaar,  Rayo Vallecano, Omonoia, KuPS Kuopio, Shelbourne dhe Shkëndija e Tetovës.

Ndeshja e parë e Dritës në fazën e ligës është më 2 tetor ndaj KuPS-it në Finlandë.