Federata e Futbollit e Turqisë do të marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarëve që kanë vënë baste në ndeshje futbolli, pasi zbuluan se qindra prej tyre kishin llogari bastesh, transmeton "The Guardian".
Kështu ka thënë të hënën presidenti i Federatës së Futbollit të Turqisë, Ibrahim Haciosmangolu. Ai ka theksuar se një hetim i federatës, bazuar në të dhënat e institucioneve shtetërore të Turqisë, zbuluan se 371 nga 571 gjyqtarë aktivë në ligat profesionale të Turqisë kishin llogari bastesh dhe 152 prej tyre luanin në mënyrë aktive bixhoz.
“Si federatë, ne filluam duke pastruar oborrin tonë”, tha Haciosmanoglu në një konferencë për shtyp në Stamboll. “Midis atyre që u gjetën se kishin llogari bastesh ishin shtatë gjyqtarë të nivelit të lartë, 15 asistentë të nivelit të lartë, 36 gjyqtarë të klasifikuar dhe 94 asistentë të klasifikuar.”
Ai tha se disa gjyqtarë kishin vendosur një numër marramendës bastesh, me një prej tyre që kishte vënë bast 18 mijë e 227 herë, dhe 42 gjyqtarë që kishin vënë bast në më shumë se një mijë ndeshje futbolli secili. Të tjerë u zbulua se kishin vendosur baste vetëm një herë.
Haciosmanoglu tha se bordi disiplinor i federatës do të fillojë të ndërmarrë veprime menjëherë.
“Ata do të përballen me dënimet në përputhje me rregulloret tona”, tha ai, duke shtuar se gjetjet mbulojnë një periudhë pesëvjeçare sipas ligjit sportiv të Turqisë.
Sipas Nenit 57 të kodit disiplinor të Federatës, ata që shpallen fajtorë për vënien e basteve në ndeshje futbolli përballen me pezullime që variojnë nga tre muaj deri në një vit.