Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, të premten ka publikuar listën e lojtarëve në të cilët llogaritë për ndeshjen ndaj Serbisë.
Ndeshja Serbi – Shqipëri zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Duboçica” në Leskovc. I takon Grupit K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Vlerësohet vendimtare për vendin e dytë në grup, që dërgon në plejof. Vendi i parë thuajse është i garantuar për Anglinë, që ka fituar pesë ndeshjet dhe udhëheq me 15 pikë. Shqipëria është e dyta me tetë pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Serbia mban vendin e tretë me shtatë pikë nga katër ndeshje.
Ekipi që fiton ndeshjen e së shtunës së javës së ardhshme do të bëjë hap vendimtar në garën për pozitën e dytë në grup.
Për ndeshjen e “rrezikshmërisë së lartë”, përzgjedhësi brazilian, Sylvinho, do të bazohet në lojtarë të konfirmuar.
Në mbrojtje është shtuar Klisman Cake i Shkëndijës së Tetovës. 26-vjeçari ka luajtur për U21 të Shqipërisë në të kaluarën.
Myrto Uzuni, Mirlind Daku, Armando Broja dhe Rey Manaj konkurrojnë për sulm.
Kuqezinjtë grumbullohen të hënën për ndeshjen në Leskovc. Shqipëria është në moment dukshëm më të mirë se Serbia. Më 9 shtator, Shqipëria fitoi 1:0 ndaj Letonisë, derisa Serbia u rrah keq, 5:0, nga Anglia në Beograd.
Në atë ndeshje pati shkelje të shumta të rregulloreve të FIFA-s. Për këtë federata serbe është dënuar me 80 mijë franga zvicerane dhe me mbylljen e 20 për qind të stadiumit për ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Por ajo pjesë e stadiumit mund të mbushet me grupe të caktuara shikuesish si familje, nxënës apo organizata që luftojnë diskriminimin. Kjo në fakt edhe pritet të ndodhë.
Presioni ndaj lojtarëve të Shqipërisë megjithatë pritet të jetë i madh në stadiumin “Duboçica”. Por ai shpresohet të shërbejë si motiv për lojtarët e Shqipërisë.
Shqipëria e Serbia tashmë e kanë luajtur ndeshjen e parë në këtë cikël eliminator. Më 7 qershor në “Air Albania”, që ishte i mbushur me shikues, ndeshja përfundoi 0:0.
Në Grupin K janë edhe Letonia që i ka katër pikë dhe Andorra, që është pa pikë.
Më 11 tetor është edhe ndeshja mes Letonisë dhe Andorrës. Më 14 tetor janë takimet Andorra – Serbia dhe Letonia – Anglia. Ndërkohë Shqipëria më 14 tetor luan miqësore me Jordaninë në Tiranë.
Lista e lojtarëve vlenë edhe për miqësore. Megjithatë, i gjithë fokusi do të jetë te ndeshja me Serbinë.
