Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Emra të rinj te Kosova për ndeshjet me Çekinë dhe Andorrën

Kosova

Ashtu si pritej, Franco Foda ka ftuar lojtarë të rinj te Kosova për ndeshjet miqësore. Kosova më 31 maj luan në Pragë ndaj Çekisë, ndërsa më 7 qershor e pret Andorrën në Prishtinë.

Kosova do të jetë në këto dy ndeshje miqësore pa disa prej lojtarëve kryesorë, si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e Florent Muslija. Mungojnë edhe Milot Rashica, Fidan Aliti, Kreshnik Hajrizi e Florent Hadërgjonaj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mungesa e Muriqit e Rrahmanit është e kuptueshme pas një edicioni shumë të gjatë e të ngarkuar që kanë pasur dy liderët e Kosovës. Në fakt Muriqi ka shkëlqyer në La Liga, por Mallorca nuk ka siguruar mbetjen në elitën spanjolle. Muriqi ka luajtur thuajse gjithë minutat e mundshëm dhe ka nevojë për pushim. Rrahmani ka pasur dy lëndime gjatë edicionit dhe po ashtu i duhet pushimi më i gjatë. Muslija është i lënduar.

Dardan Shabanhaxhaj, Valmir Matoshi dhe Rilind Nivokazi janë emrat e rinj te Kosova. Shabanhaxhaj luan sulmues krahu, ndërsa është te Rubin Kazani në Rusi. Është pritur ftesa e tij te Kosova. Ai ka të kaluar te Austria U21.

Valmir Matoshi luan në mesfushë, ndërsa është paraqitur për U20 dhe U21 të Zvicrës. Me Thunin e fitoi titullin e kampionit të Zvicrës. 

Rilind Nivokazi luan në sulm. Është pjesë e Sionit të Zvicrës. Ka luajtur për të rinjtë e Italisë e më pas për Kosovën U21. Tani do të jetë konkurrent në sulm me Fisnik Asllanin dhe Albion Rrahmanin.

Selektori Foda për portë ka përzgjedhur të zakonshmit:Arijanet Muriqin, Amir Shaipin dhe Visar Bekajn.

Në mbrojtje janë Mërgim Vojvoda, Albian Hajdari, Lumbardh Dellova, Dion Gallapeni, Ilir Krasniqi, ndërsa janë shtuar edhe Ron Raçi e Andi Hoti që janë grumbulluar kohë pas kohe.

Në mesfushë janë Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj, Veldin Hoxha, Lindon Emërllahu e Vesel Demaku. Për pozitat ofenzive pos Asllanit, Rrahmanit e Nivokazit konkurrojnë edhe Edon Zhegrova, Ermal Krasniqi, Baton Zabërgja, Muharrem Jashari e Bersant Celina. Celina po ashtu është kthyer në përfaqësuese dhe atë pas një kohe të gjatë.

Kosova për pak mbeti jashtë Botërorit në SHBA, Kanada e Meksikë. Në finale të plejofit, më 31 mars në “Fadil Vokrri”, pësoi 1:0 nga Turqia.

Tani fokusi është kthyer te Euro 2028, ndërsa prej këtyre miqësoreve Foda do ta përgatisë ekipin për ciklin eliminator për Evropian. 

Ndeshja me Çekinë pritet të jetë shumë e fortë. Çekia është kualifikuar në Botëror dhe do të udhëtojë për në SHBA menjëherë pas ndeshjes që luhet të dielën e ardhshme. Ndërkohë miqësorja me Andorrën pritet të jetë me më pak ngarkesë. Por vlerësohet e rëndësishme për Fodan, për testimin e ardhjeve të reja dhe të lojtarëve që zakonisht kanë më pak hapësirë.

Në shtator, “Dardanët” nisin kampanjën e re në Ligën e Kombeve. Për herë të parë do të jenë në Ligën B.

Selektori Foda, si zakonisht, ka përpiluar edhe një listë rezervë, ku janë emrat e Faton Malokut, Florian Haxhës, Kreshnik Krasniqit, Ismet Lushakut, Bledian Krasniqit dhe Meriton Korenicës.