Yjet e Paris Saint-Germainit, Ousmane Dembele dhe Marquinhos, kanë insistuar se skuadra është edhe më e “uritur” për lavdinë evropiane, pas triumfit në vitin e kaluar.
Dy prej lojtarëve kryesorë të parisienëve folën të premten, një ditë para finales së Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.
Finalja e Championsit mes PSG-së dhe Arsenalit luhet të shtunën nga ora 18:00 në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest të Hungarisë.
Skuadra franceze e synon mbrojtjen e titullit evropian ndaj Arsenalit të Mikel Artetas, që ende nuk e ka fituar këtë trofe.
“Kur e fiton një herë Ligën e Kampionëve, kur një herë e shijon atë trofe, atë moment, dëshiron që t’i përjetosh të njëjtat momente sërish”, ka deklaruar mbrojtësi dhe kapiteni i PSG-së, Marquinhos.
Edhe
Publikohen formacionet zyrtare të finales së Championsit
“Ende e kujtoj atë ndjenjë dhe emocion në dhomën e zhveshjes pas finales. Dhe ne gjithmonë duam që ta përjetojmë atë emocion. Dhe sërish, duhet të jemi të uritur, të kemi motivim”.
Ylli Dembele ka thënë se triumfi i njëpasnjëshëm i bën lojtarët e mëdhenj.
“Ne kemi skuadër të re, staf dhe lojtarë të jashtëzakonshëm, të cilët duan të fitojnë trofe”, ka thënë francezi, fitues i “Topit të Artë”.
“Jemi të uritur për ta fituar çdo trofe, pavarësisht a është Ligë e Kampionëve, kampionat apo kupë. Ne garojmë dhe duam të jemi lojtarë të mëdhenj, ne duhet të fitojmë këto lloj trofesh. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”.
Që të dy e kanë vlerësuar lartë Arsenalin, që e fitoi titullin pas 22 vjetësh dhe arriti në finale të Championsit pas 20 vjetësh.
Te PSG-ja nuk ka shqetësime sa u përket lëndimeve. Kishte dyshime nëse Dembele, Achraf Hakimi dhe Nuno Mendes do të mungojnë.
Edhe
Kë e favorizojnë statistikat, PSG-në apo Arsenalin?
Por të premten në konferencën për shtyp, trajneri Luis Enrique konfirmoi se të gjithë janë të gatshëm për lojë.
Lëvdata për skuadrën e Arsenalit pati edhe tekniku spanjoll i PSG-së, Enrique. Në një video të publikuar të dielën e kaluar nga festa e Arsenalit, është dëgjuar Arteta duke thënë se “të shtunën Arsenali do të jetë kampion i Evropës”.
Luis Enrique u pyet për këtë.
“Nuk mendoj se ka motivim më të madh sesa ta fitosh Ligën e Kampionëve. Pjesa tjetër është vetëm strategji. Por do të shohim, do të shohim të shtunën. Do të shohim kush është më i mirë dhe kush do të fitojë. Të dyja ekipet i kanë fituar titujt në ligat e tyre. Unë do të fokusohem në atë që është pozitive për ekipin tim, në mënyrë që ta shfaqim më të mirën”.
Arsenali u mposht nga Barcelona para 20 vjetësh, në paraqitjen e vetme në finale.
Kampioni i Ligue 1 të Francës ishte në pozitë të njëjtë në sezonin e kaluar kur e shkatërroi Interin 5:0 në finale, për ta ngritur lartë trofeun evropian për herën e parë.
Edhe
PSG-ja sërish në majën e Evropës, triumfon për të dytin vit me radhë
Trajneri Enrique ka kërkuar kujdes nga “topçinjtë”. Ai u pyet se sa e fuqishme është dëshira për ta fituar trofeun për herën e parë. Përgjigja e tij ishte e veçantë.
“Është shumë e fuqishme. Por a e dini sa e fuqishme është dëshira për ta fituar Ligën e Kampionëve dy herë rresht? Është edhe më e madhe!”.