Për klubin e promovuar në Superligën e Kosovës në futboll, KF Prishtina e Re, çështja e emrit të këtij klubi është “temë e mbyllur”. Por emri i klubit të ri të Superligës nuk është “temë e mbyllur” për klubin me histori shumë të pasur, Prishtina.
Te FC Prishtina thonë se Ligji për Markat Tregtare specifikon dhe trajton çështjet e logove, emrave të ngjashëm ose të përbashkët.
“Është goxha specifik”, ka thënë drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani, për KOHËN të hënën.
Marka tregtare është shenjë dalluese që identifikon produktet ose shërbimet e një kompanie dhe regjistrohet pranë Agjencisë për Pronësi Industriale (API).
FC Prishtina është e regjistruar në vitin 2024 në Agjencinë për Pronësi Industriale.
Marka tregtare përdoret për të identifikuar produktet ose shërbimet e një kompanie nga ato të kompanive të tjera.
Në rastet e shkeljes së të drejtave mbi markën tregtare, pronari ka të drejtë të ndërmarrë masa ligjore për mbrojtjen e interesave të tij. Këto masa mund të ndërmerren përmes disa rrugëve ligjore. Pronari i markës mund të paraqesë padi pranë Gjykatës Komerciale në Prishtinë, konkretisht në Departamentin për Çështje Ekonomike, për të ndaluar përdorimin e paautorizuar të markës tregtare.
Te Prishtina, që shumë e llogarisin klubin më të madh në vend, besojnë se çështja e emrit do të zgjidhet pa pasur nevojë për proces gjyqësor.
“E kam takuar drejtorin e klubit të Prishtinës së Re në fillim të sezonit. E kemi diskutuar këtë temë dhe kemi rënë dakord që deri të kryhet sezoni mos të ndërmarrim ndonjë veprim. Tash bëjmë garë në të njëjtën kategori. Besoj se do të merremi vesh dhe nuk do të kemi nevojë për proces ligjor. Por nëse nuk merremi vesh, atëherë duhet të vendosim përmes gjykatës. Por nuk besoj se do të shkoj puna deri në gjykatë”, është shprehur Osmani.
Pra te Prishtina presin që Prishtina e Re ta ndryshojë emrin. Vlerësojnë se dy Prishtina nuk kanë vend në Superligë.
KOHA ka siguruar një kopje të certifikatës për markë tregtare të FC Prishtina. Klubi i formuar 103 vjet më parë, ka edhe avokatin e tij për çështje që mund të përfundojnë në gjykatë.
KF Prishtina e Re ndërroi emrin në qershor të vitit 2023. Nga KF Shkëndija u bë KF Prishtina e Re.
Përveç emrit, ndryshoi logon e madje edhe ngjyrat. Nga ngjyrat bardhë e kuq kaloi në kaltër e bardhë, që janë edhe ngjyrat tradicionale të Prishtinës.
Te Prishtina e Re thonë se emrin nuk e kanë ndërruar për të rivalizuar Prishtinën.
“Për ne, FC Prishtina është një nga klubet me lavdinë më të madhe në trojet shqiptare dhe ne e respektojmë shumë këtë fakt të pamohueshëm. Emri Prishtina e Re është koncepti ynë i së ardhmes, i cili lidhet shumë me projektin që ne kemi për Akademi.
Pra, Prishtina e Re është edhe koncepti ynë për qytetin e ri që po ndërtohet në këtë pjesë, e që përfshin Hajvalinë dhe pjesët përreth, e që tashme veç se njihet si Prishtina e Re. Në aspektin ligjor jemi në rregull. Madje edhe e kemi të mbrojtur markën tonë tregtare. Por, emrin e qytetit nuk mund ta patentojë asnjë klub, e ne dallimin në shkronja e kemi ashtu siç kërkohet”, ka thënë drejtori sportiv i klubit të futbollit Prishtina e Re, Sami Boroci për KOHËN të hënën.
KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Federata e Futbollit e Kosovës nëse përbën ndonjë problem paraqitja në Superligë e dy klubeve me emër të ngjashëm – FC Prishtina dhe KF Prishtina e Re.
Kosova VR, klub i themeluar më 14 tetor të vitit 2002, deri vonë mbante emrin Kosova e Prishtinës. Por është dashur ta ndërrojë për shkak se emri “Kosova” është i ndaluar me Udhëzimin Administrativ për themelimin dhe regjistrimin e klubeve publike e private të sportit. Kosovës VR do t’i duhet sërish të ndërrojë emrin.
Prishtina e Re u shpall kampione e Grupit B të Ligës së Parë dhe për herë të parë u inkuadrua në Superligë. FC Prishtina fitoi Kupën e Kosovës.
Në Ligën e Parë janë dy klube me emrin Trepça. Njëri ka prapashtesë ’89.
Dy klubet prishtinase në edicionin 2025/2026 do të përballen në Superligë. Por para se të përballen në fushë, mund të përballen në gjykatë.