Të martën mbrëma janë ndeshjet e para të plejofit të fazës nokaut në Ligën e Kampionëve.
Në program janë katër ndeshje, secila më interesante se tjetra.
Faza e plejofit fillon në Stamboll, me ndeshjen Galatasaray – Juventus. Kjo ndeshje zhvillohet nga ora 18:45.
Juventusi fazën e ligës e përfundoi në vendin e 13-të me 13 pikë, ndërsa Galatasaray ishte në vendin e 20-të me 10 pikë.
Të dy skuadrat kishin synim të jenë në Top-8, por nuk ia dolën.
“Synimi ynë në fillim të edicionit ishte të përfundojmë në tetë të parët dhe të kualifikohemi direkt në një të tetën e finales. Nuk e arritëm këtë, por të mbesim në 24 më të mirët dhe të kemi shans në plejof është mundësi e rëndësishme në rrugën drejt realizimit të synimit. E luajmë ndeshjen e parë në shtëpi. E dimë që kundërshtari ka lojtarë të nivelit të lartë dhe trajner të mirë. Juve ka pasur ndeshje që i ka luajtur shumë mirë, por nuk ka fituar. Ishte pa fat së fundi. Na pret ndeshje e vështirë”, ka thënë trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk.
Galata në Superligën turke është në vendin e parë me 55 pikë. Fenerbahçe i ka 52.
Juventusi është vetëm i pesti në Serie A.
Prej orës 21:00 janë tri ndeshje të tjera.
Kampioni në fuqi, Paris Saint-Germaini luan me skuadrën tjetër të Francës, Monaco. Kjo e fundit është vendase në ndeshjen e parë. PSG-ja edhe vjet nisi ngadalë, por arriti deri te titulli i parë.
Shumë rivalitet pritet edhe në ndeshjen Borussia Dortmund – Atalanta, por vëmendja kryesore do të jetë në ndeshjen Benfica – Real Madrid.
Benfica e mposhti Real Madridin në mënyrë dramatike në xhiron e fundit të fazës së ligës. Kështu e nxori Madridin jashtë tetëshes së parë dhe bëri vend për vende në plejof. Golin që solli këtë skenar e shënoi në minutën e 98-të përmes portierit.
Te Real Madridi presin revanshin.
“Benfica do të jetë shumë e mirë dhe ne duhet të jemi gati. Benfica ka lider të jashtëzakonshëm që u thotë lojtarëve si të luajnë. Bëhet fjalë për trajnerin. Qëllimi ynë nuk ëhtë të revanshohemi, synimi ynë është ta fitojmë Championsin. Ta mposhtim Benfican na afron me synimin”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa.
Jose Mourinho është trajner i Benficas. Portugezi i njohur ka të kaluar të suksesshme te madrilenët.
“Ata janë të plagosur. Dhe një mbret i plagosur është i rrezikshëm. Do të luajmë ndeshjen e parë me kokën tonë, me ambicie dhe besim. E dimë se çka u kemi bërë mbretërve të Ligës së Kampionëve. Anatoliy Trubin nuk do të jetë në sulm këtë herë. Jam mësuar me këto sfida, i luaj gjithë jetën”, ka thënë Mourinho.
Katër ndeshje të tjera të plejofit janë të mërkurën mbrëma.