Meriton Korenica po kalon formë të lartë te skuadra rumune, CFR Cluj. Të shtunën mbrëma 28-vjeçari, që luan në pozita të ndryshme në repartin ofensiv, e shënoi golin e fitores në derbin ndaj Universitatea Cluj.
Në gjashtë ndeshjet e fundit Korenica i ka tri gola e tri asistime.
Në elitën rumune këtë edicion i ka realizuar nëntë gola e gjashtë asistime në 36 paraqitje. E ka edhe një gol në katër paraqitje në Kupë të Rumanisë, ndërsa Cluji është në finale.
Dan Petrescu, trajneri i njohur i Clujit, foli për Korenicën pas ndeshjes së fundit.
“Nuk kam merita për asnjë lojtar. Është meritë e tyre. Nëse e njihni Korenicën si djalosh, nuk ju duhet asgjë tjetër. Është njeri i shkëlqyer, futbollist i shkëlqyer. E kam parë kur kemi luajtur me Ballkanin dhe e kam ditur se e dua. Njëjtë i kam dashur edhe Krasniqin e Rrahmanin. Më vjen keq që nuk janë këtu. Nëse do të ishin, qartë se do të ishim shumë më të fortë. Por ju e keni parë edhe Emërllahun, një djalosh i jashtëzakonshëm. Korenica mund të paraqitet edhe më mirë në edicionin e ardhshëm”, ka thënë Petrescu.
Kjo katërshe ishte te Ballkani i Suharekës. Ermal Krasniqi më herët ka luajtur te Cluji, ndërsa tani është te Sparta Praga në Çeki, njëjtë si Albion Rrahmani. Ky i fundit luajti në Rumani, por jo te Cluji, ndonëse kjo skuadër e synoi transferimin e tij.
Mesfushori Lindon Emërllahu po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm te skuadra e Petrescut.
Korenica në ndeshjen e së shtunës u largua i lënduar nga fusha.
“Ai ka kualitet shumë të lartë. Shpresoj se nuk do ta humbim për pjesën e mbetur të kampionatit, do të ishte shumë vështirë për ne pa të. Doli i lënduar dhe po presim të shohim çka ka këmba e tij. Jemi në luftë për Evropë dhe nuk mund të llogarisim në Kupë”, ka thënë Petrescu.
57-vjeçari është prej emrave më të mëdhenj në futbollin rumun. Si lojtar i ka 150 ndeshje për Chelsean, ndër të tjera. Si trajner ka udhëhequr skuadra në Rumani, Rusi, Arabi Saudite, Kinë, Kore të Jugut, Poloni, Turqi. Te Cluji është në periudhën e katërt.
Korenica është nga Rahoveci, ndërsa kryesisht ka luajtur në futbollin kosovar. Kishte një periudhë jo shumë të suksesshme te Manisa në kategorinë e dytë turke. Por, te CFR Cluj po shkëlqen.
“Po ndihem shumë i lumtur që kemi fituar ndeshjen, derbin. I uroj gjithë tifozët, stafin, lojtarët. Është fitore e rëndësishme për Clujin dhe e kemi merituar të fitojmë. Kemi pasur shumë shanse në pjesën e parë, por ky është derbi dhe e rëndësishme është të fitohet në derbi. Mjafton një gol. Për mua është derbi i parë dhe është e pabesueshme. Jam shumë i kënaqur”, ka thënë Korenica.