Futboll

Ronaldo feston me lot në sy triumfin me Portugalinë në Ligën e Kombeve

ronaldo

Cristiano Ronaldo ka fituar një tjetër trofe në moshën 40-vjeçare. Portugezi realizoi gol, u lëndua dhe festoi me bashkëlojtarët e tjerë në triumfin ndaj Spanjës, të dielën në Munih, në finalen e Ligës së Kombeve.

Portugalia e mposhti Spanjën me rezultatin 5:3 në ekzekutimin e penalltive.

Ronaldo e tregoi se është ende prej më të mirëve që në gjysmëfinale. Ai e kishte shënuar golin e fitores 2:1 ndaj Gjermanisë. Të dielën Ronaldo e barazoi rezultatin në 2:2 dhe ia siguroi vazhdimet Portugalisë. Portugezët më pas ishin më të mirë gjatë ekzekutimit të penalltive, duke ia shkaktuar Spanjës humbjen e parë në 19 ndeshje.

Në minutën e 61-të ylli global e dërgoi topin në rrjetë pas harkimit të Nuno Mendesit.

Për Ronaldon ishte goli i 138-të me Portugalinë në 221 ndeshje dhe i 938-ti në karrierë. Ai e la fushën në minutën e 88-të shkaku i një lëndimi muskulor. Por, ka përkrahur bashkëlojtarët nga banka rezervë. 

Spanja ishte e para që kaloi në epërsi me golin e Martin Zubimendit në minutën e 21-të. Mendes, që u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, i barazoi shifrat në minutën e 26-të. Por, Mikel Oyarzabal e shënoi një tjetër gol për Spanjën që në pushim shkoi me epërsi 2:1.

Ronaldo më pas i barazoi shifrat kur kishte kaluar pak më shumë se një ore lojë.

Në vazhdime nuk pati gola dhe fituesi u caktua në penallti.

Goncalo Ramos, Vitinha, Bruno Fernandes, Mendes e Ruben Neves shënuan për Portugalinë. Te Spanja dështoi vetëm Alvaro Morata, në penalltinë e katërt. Për spanjollët shënuan Mikel Merino, Alex Baena e Isco.

Portugalia e fiton Ligën e Kombeve për herën e dytë. E kishte fituar edhe turneun inaugurues në vitin 2019.

Franca në vitin 2021 e fitoi edicionin e dytë, kurse Spanja triumfoi në vitin 2023.

Ishte finalja e dytë rresht ku penalltitë përcaktuan fituesin. Spanja në edicionin e kaluar e kishte mposhtur Kroacinë, 5:4.