Futboll

Ousmane Dembele, fitues i Topit të Artë

dembele

Ylli i Paris Saint-Germainit, Ousmane Dembele, është fitues i Topit të Artë për edicionin 2024/2025. 28-vjeçari u shpall futbollisti më i mirë në botë në ceremoninë e mbajtur të hënën mbrëma në Paris.

Në fakt është pritur që sulmuesi i Parisit të shpallet më i miri. Edicioni i kaluar ishte i shkëlqyer për sulmuesin e Francës. Ai e udhëhoqi PSG-në drejt triumfit të parë në Ligën e Kampionëve. Me Parisin e ka fituar edhe titullin e kampionit dhe kupën e Francës. Ndërkohë ka arritur në finale të Botërorit të Klubeve.

Në edicionin e kaluar, Dembele i shënoi plot 35 gola në 53 paraqitje në të gjitha garat. I kishte edhe 16 asistime. Në kampanjën që përfundoi me titull në Champions, Dembele i realizoi tetë gola e gjashtë asistime në 15 paraqitje.

Dembele për herë të parë e ka fituar Topin e Artë, që është trofeu kryesor individual në futboll. Ai fitoi në konkurrencë të fortë me yllin e ri të Barcelonës, 18-vjeçarin Lamine Yamal.

Topin e Artë, Dembeles ia dorëzoi superylli brazilian, Ronaldinho.

Yamal po ashtu vlerësohej kandidat shumë i fortë në garën për “Ballon d’Or”. Por triumfi në Champions i Dembeles bëri dallimin. Yamali ka fituar titullin e kampionit në Spanjë dhe Kupën e Spanjës. 

Në dhjetëshen e parë në garën për Topin e Artë kanë zënë vend edhe Vitinha, Mohamed Salah, Rafinha, Achraf Hakimi, Kylian Mbappe, Cole Palmer, Gianluigi Donnarumma dhe Nuno Mendes.

Ky ishte edicioni i 69-të i Topit të Artë. Vjet më i miri ishte shpallur Rodri, mesfushori spanjoll i Manchester Cityt.

Derisa një vit më parë më herët ishte kuptuar se kush do të fitonte, këtë herë “France Football” e ka mbajtur sekretin deri në fund. Dembele është llogaritur favorit dhe ka fituar në fund.

Në ceremoninë madhështore të së hënës mbrëma janë ndarë edhe shumë çmime të tjera.

Futbollistja më e mirë e edicionit të kaluar u shpall Aitana Bonmati. Spanjolla e Barcelonës u shpall më e mira për herë të tretë rresht.

Paris Saint-Germaini është shpallur klubi më i mirë i edicionit të kaluar, ndërsa klubi më i mirë te femrat u shpall Arsenali.

Trofeun Gerd Muller për golashënuesin më të mirë e fitoi Viktor Gyokeres. Te futbollistet më së shumti gola kishte Eëa Pajor.

Portieri më i mirë është shpallur Gianluigi Donnarumma, që ishte pjesë e PSG-së e tani luan për Manchester Cityn. Hannah Hampton e Chelseat është portierja më e mirë e vitit.

Nuk kishte befasi as sa i takon trajnerit të vitit. Luis Enrique u shpall më i miri i vitit, ndërsa trajnerja më e mirë u shpall holandezja Sarina Wiegman.

Yamali megjithatë ka fituar një trofe. Ai u shpall lojtari më i mirë i ri dhe fitoi Trofeun Kopa. Vicky Lopez e Barcelonës u shpall futbollistja më e mirë e re.

Në mbrëmjen me shumë yje, mbreti ishte Ousmane Dembele. Ai mbajti një fjalim shumë emocional në fund. Ai tani është fitues i çmimit kryesor individual në futboll.

Lexo përditësimet tjera
dembele

Ousmane Dembele, fitues i Topit të Artë