Futboll

Një tjetër lojtar sllovak vë në pah cilësitë e Kosovës

Lubomir Shatka

Ndeshja Sllovaki – Kosovë është klasifikuar zyrtarisht si ngjarje me rrezikshmëri të lartë.

Te Sllovakia kanë pranuar se ndeshja gjysmëfinale e plejofit për kualifikim në Botërorin 2026 ndaj Kosovës, nuk e ka trajtimin si të gjitha ndeshjet e tjera.

Organizimin e ndeshjes ndaj Kosovës e kanë cilësuar sfidë. 

Sllovakët e cilësojnë sfiduese edhe përballjen në fushë kundër futbollistëve të Kosovës.
I fundit që ka thënë se ndeshja kundër “Dardanëve” nuk do të jetë e lehtë, është futbollisti që luan për Samsunsporin e Turqisë, Lubomir Shatka.

Qendërmbrojtësi Shatka luan rregullisht për Sllovakinë. 

30-vjeçari me përvojë, pritet të paraqitet në qendër të mbrojtjes edhe kundër Kosovës në gjysmëfinale të plejofit për Kupën e Botës që këtë vit mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Qendërmbrojtësi Shatka pranon se do të ketë punë të vështirë në ndeshjen kundër Kosovës. Ai pritet të ketë duele të forta me dy sulmuesit në formë, Vedat Muriqin dhe Fisnik Asllanin. Kjo dyshe e sulmit ka funksionuar goxha mirë në ndeshjet e fundit të Kosovës në ciklin e rregullt kualifikues për Botëror.
Sllovakia e pret Kosovën në Bratislavë. 

Shatka ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë të hënën. Ndër të tjera ka folur për Kosovën.

Federata sllovake ka shkruar se Shatka “nuk duhet t’i mungojë skuadrës së trajnerit Francesco Calzona për ndeshjen ndaj Kosovës”.

“Mendoj se shëndeti dhe forma e lojtarëve mund të jenë vendimtare. Besoj se trajnerët do të na përgatisin mirë nga pikëpamja taktike. Detajet mund ta vendosin ndeshjen. Kosovarët janë përmirësuar shumë në aspektin e cilësisë, kanë lojtarë shumë të mirë që luajnë në liga të forta. Ata e konfirmuan këtë duke përfunduar të dytët në një grup kualifikues shumë të vështirë. Nuk do të jetë e lehtë, por të gjithë besojmë se do ta menaxhojmë dhe do t’i afrohemi ëndrrës sonë të përbashkët”, ka thënë Shatka.

Fituesi i përballjes Sllovaki – Kosovë kualifikohet në finale të plejofit dhe luan në shtëpi me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.

Vetë kualifikimi në plejof është sukses i madh për Kosovën. Sigurimi eventual i Botërorit do të ishte e arritur e jashtëzakonshme.