Më 24 shtator të këtij viti fillon edicioni i ri i Ligës së Kombeve të UEFA-s. Është ky edicioni i pestë i kësaj lige, të cilën Konfederata Evropiane e Futbollit e krijoi për të zëvendësuar miqësoret, por që po ashtu sjell para shtesë për federatat nacionale dhe për UEFA-n.
Liga e Kombeve është e ndarë në katër nivele. Dhe Kosova për herë të parë do të luajë në Ligën B, që është niveli i dytë.
Në edicionin e parë, 2018/19, Kosova luajti në Ligën D, që është niveli i katërt dhe i fundit. Më pas për tri edicione ishte në Ligën C. Për edicionin 2026/2027, është “graduar” në Ligën B, falë dy fitoreve në plejof ndaj Islandës, marsin e vitit të kaluar.
Shorti për edicionin e ri të Ligës së Kombeve tërhiqet më 12 shkurt në Bruksel. Për short, Kosova do të jetë në vazon e katërt, përkatësisht të fundit, bashkë me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut.
Në vazon e parë të Ligës B janë Skocia, Hungaria, Polonia dhe Izraeli. Vazoja e dytë përbëhet nga Zvicra, Bosnjë-Hercegovina, Austria dhe Ukraina. Në vazon e tretë zënë vend Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda dhe Rumania.
Në grup, Kosova do të jetë me nga një përfaqësuese prej tri vazove të para. Por jo me Bosnjë-Hercegovinën, ndonëse ajo është në vazon e dytë.
“Bazuar në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të vlefshme në kohën e hedhjes së shortit, ekipet që nuk mund të jenë në një grup, janë: Bosnjë-Hercegovina (Liga B, vazo 2) – Kosova (Liga B, vazo 4). Përballjet e tjera të ndaluara nuk mund të ndodhin për shkak se ekipet përkatëse nuk luajnë në të njëjtën ligë”, shkruan në njoftimin e UEFA-s për shortin e Ligës së Kombeve.
Që në vitin 2016, UEFA vendosi që Kosova nuk mund të luajë me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën për arsye të sigurisë. Ndërkohë në vitin 2019 ndaloi edhe ndeshjet e Kosovës me Rusinë.
Në sporte të tjera, për shembull në hendboll, Kosova luan rregullisht me Bosnjë-Hercegovinën. Dhe deri më tani nuk ka pasur telashe të natyrës së sigurisë.
Më të ndërlikuara se ndeshjet eventuale me Bosnjë-Hercegovinën mund të jenë ato me Rumaninë. Të gjitha ndeshjet e deritashme me Rumaninë janë përcjellë me telashe të natyrës politike. Tifozët rumunë kanë fyer Kosovën. Madje bënë thirrje “Kosova, Serbia” edhe në Prishtinë. Në të kaluarën ka pasur ndërlikime të natyrës politike edhe në ndeshjet me Ukrainën.
Rrjedhimisht grupi i Kosovës në edicionin e pestë të Ligës së Kombeve mund të jetë goxha interesant.
Ndeshjet e fazës së ligës zhvillohen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor të këtij viti. Janë nga dy ndeshje në shtator, tetor e nëntor.
Te Kosova aktualisht gjithë fokusin e kanë te plejofi për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Më 26 mars në Bratislavë, “Dardanët” luajnë ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale të plejofit. Në rast të fitores, më 31 mars e presin Turqinë apo Rumaninë në finale. Fituesi i finales së plejofit siguron biletën e Botërorit.