Futboll

Ngec rinovimi i kontratës së Rrahmanit, dy gjigantë nga Turqia hyjnë në garë

Amir Rrahmani

Amir Rrahmani pësoi lëndim muskulor sa ishte me Kosovën në ndeshjen kualifikuese të Botërorit ndaj Zvicrës në muajin shtator dhe mbeti jashtë fushës për kohë të gjatë. 

Por, kapiteni i Kosovës është kthyer në qendër të mbrojtjes te Napoli dhe ka shfaqur nivel të lartë të lojës. 

Më së miri e tregon paraqitja në fitoren 2:0 ndaj Qarabagut në Ligën e Kampionëve. 

“Paraqitja e tij ishte e mrekullueshme dhe ishte pikë kyçe në mbrotje, e udhëhoqi ekipin dhe dhuroi paraqitje të nivelit të lartë”, ka shkruar “Tuttomercatoweb” të premten. 

Kualiteti i tij është vështirë të lihet anash dhe kjo ka rënë në sy të dy gjigantëve të futbollit turk.

Qendërmbrojtësi 31-vjeçar tani kërkohet nga Beshiktashi dhe Fenerbahçe, ka bërë të ditur “Corriere dello Sport”. 

Ai është në kulmin e karrierës dhe është prej mbrojtësve më të mirë në treg, ka shkruar tutje mediumi italian. 

Negociatat për vazhdimin e kontratës me Napolin deri në vitin 2028 kanë ngecur dhe turqit synojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë. 

Rrahmani, që ka 66 paraqitje e shtatë gola me Kosovën, ka luajtur vetëm në shtatë ndeshje të edicionit aktual me Napolin.