Futboll

Nga galaktikët në lavdi – si e shndërroi Enrique PSG-në në fituese të Ligës së Kampionëve

Luis Enrique

Munih, 1 qershor (AP) – Luis Enrique i eliminoi galaktikët te Paris Saint-Germaini dhe ndërkohë u bë vet një i tillë.

Trajneri spanjoll, që ndoshta duhet të quhet arkitekt apo vizionar, orkestroi shkatërrimin 5:0 të Interit në finalen e Ligës së Kampionëve, të shtunën mbrëma në Munih. Ndeshja ishte aq e njëanshme saqë i ngjante një seance stërvitore kundër një ekipi amator, e jo ndeshje ndaj skuadrës që ka fituar tri herë kupën evropiane.

Pasime, lëvizje, energji. Presing i pandalshëm, sulmues që tërhiqen për të mbrojtur, lojtarë të krahut që ruajnë mbrojtësit e krahut.

Të gjitha këto atribute u shfaqën në Munih, ndërsa Luis Enrique iu bashkua listës elitare të trajnerëve që fituan Ligën e Kampionëve me më shumë klube. Suksesin i parë i tij në Champions ishte me Barcelonën në vitin 2015. Ajo finale ndaj Juventusit kishte përfunduar 3:1, por fitorja e së shtunës ishte më e ëmbël.

“Është koha për një festë të madhe dhe për të shfrytëzuar sa më shumë këtë moment”, ka thënë Luis Enrique pas ndeshjes. “Ndjeva lidhjen me lojtarët dhe tifozët. Mendoj se ishte një lidhje shumë e fortë gjatë gjithë edicionit”.

Para ardhjes së Luis Enriques, në fillim të edicionit të kaluar, një punë e tillë grupore dhe shpirti ekipor nuk ishin shenja dalluese të PSG-së. Përkundrazi.

Parisi në një mënyrë kënaqej që kishte në përbërje yje si Neymar, Thiago Silva, Lionel Messi, Edinson Cavani, Zlatan Ibrahimoviq dhe Kylian Mbappe. Të gjithë lojtarë të mirë, disa madje të shkëlqyer, por që erdhën e u larguan pa fituar çmimin kryesor të futbollit evropian. Si pasojë, padurimi i pronarëve nga Katari bëri që të ketë ndryshime të shpeshta të trajnerëve.

Kur Luis Enrique erdhi, ai me guxim shkoi në drejtim të kundërt të asaj që pronarët e PSG-së kishin bërë që kur morën drejtimin e klubit 14 vjet më parë. Nuk kishte të bënte më me angazhimin e sa më shumë yjeve dhe kënaqjen e tyre. Edhe më e rëndësishme, nuk kishte të bënte me lojtarët që po vinin, por me ata që po shiteshin.

Neymar dhe mesfushori Marco Verrati u larguan. Ata ishin shpesh në media për stilin e jetës dhe festat. Pastaj erdhi tronditja më e madhe – largimi i superyllit Mbappe për te Real Madridi.

Si do të përballonte PSG-ja ligën franceze, e të mos flitet për Ligën e Kampionëve, pa lojtarin tek i cili ishte mbështetuur kaq shumë?

Shumë mirë, ndonëse u kërkua kohë dhe guxim.

Momentet vendimtare të edicionit

Në një natë me shi vjeshte në Londër, Ousmane Dembele u mbajt jashtë lojës nga Luis Enrique dhe PSG-ja humbi 2:0 nga Arsenali në një paraqitje shumë të zbehtë. Enrique e bëri të qartë se po kërkonte përkushtim në skuadër dhe kjo ishte e panegociushme. Prandaj e la jashtë Dembelen. Kritikët e kritikuan ashpër vendimin e spanjollit dhe dyshimet vazhduan ndërsa PSG-ja pati telashe në Ligën e Kampionëve me format të ri. Humbi edhe nga Atletico Madridi dhe Bayerni.

Për disa vendimet e tij ishin të papranueshme, por Enrique tregoi se nuk do t’i dorëzohej forcës së lojtarit, si shumë nga paraardhësit e tij. Në vend që të kërkonte transferim apo të ankohej, Dembele nuk tha asgjë. Disa muaj më pas ai u transformua në një golashënues të shkëlqyer dhe tani është fitues potencial i Topit të Artë.

Pika tjetër e kthesës erdhi më 22 janar.

PSG-ja përballej me eliminim të fazën e ligës në Champions, nëse pësonte humbje në shtëpi nga Manchester City, kampioni i vitit 2023. Në minutën e 50-të dhe të 53-të, City shënoi për 2:0. Dhe Mbappe nuk ishte për ta shpëtuar ekipin parisien.

Ajo që ndodhi më pas përcaktoi rrjedhën e edicionit të parisienëve. Lojtarët e rinj të ekipit morën iniciativën dhe kthyen një humbje që dukej e pashmangshme në fitore 4:2. Golat u shënuan nga katër lojtarë të ndryshëm dhe kjo dëshmon se sulmi bazohej në shumë lojtarë e jo vetëm në një si në të kaluarën.

Skuadra me emra të rinj vazhdoi, ndërsa PSG-ja e ringjallur fitoi dy trofetë e Francës dhe tani edhe Ligën e Kampionëve për një tripletë të jashtëzakonshme. Enrique e arriti këtë për herë të parë me Barcelonën dhjetë vjet më parë.

Është tregues shumë i mirë që lojtari kryesor i PSG-së kundër Interit ishte 19-vjeçari Desire Doue, i cili asistoi në golin e parë dhe shënoi dy gola të tjerë. Sërish, si kundër Cityt, ishin katër golashënues. Goli i fundit u shënua nga Senny Mayulu, talenti 19-vjeçar që u rrit në periferinë verilindore të Parisit.

Në kujtim të vajzës së tij

Vajza e Luis Enriques, Xana, vdiq gjashtë vjet më parë, në moshën nëntëvjeçare. Kur u pyet për vazjën e tij nga transmetuesi “Canal Plus” pas ndeshjes, Luis Enrique hapi zemrën dhe tha: “Është këtu çdo ditë të jetës sime, pavarësisht nëse fitojmë apo humbim”.

Tifozët e PSG-së mbajtën lart një baner me emrin e Xanës pas ndeshjes. Luis Enrique ndërroi rrobat e tij për të veshur një bluzë të fondacionit që ai e ka krijuar në kujtim të saj.