Të paktën tre persona janë vrarë jashtë një restoranti në qytetin austriak të Linzit, ka thënë të enjten një zëdhënës i policisë, duke shtuar se arma me të cilën është kryer vrasja, është gjetur.
Zëdhënësi nuk ka pranuar të komentonte më tej.
Gazeta “Kronen Zeitung” ka raportuar se bëhet fjalë për një sulm me armë zjarri ku një burrë ka vrarë dy gra dhe më pas veten.
Sipas gazetës, autori i dyshuar besohet të jetë babai dhe bashkëshorti i dy viktimave.
Gazeta ka shkruar më tej se një austriak rreth 90-vjeçar dyshohet se ka qëlluar për vdekje gruan e tij të së njëjtës moshë dhe vajzën e tyre, rreth 60 vjeçe, para një restoranti tradicional, dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Edhe
Pesë të vrarë nga të shtënat me armë në Gjermani
Siç ka mësuar “Krone”, pas ngjarjes së përgjakshme dyshohet se qëndron një konflikt për trashëgiminë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30. Operacioni policor ende po vazhdon. Policia ka izoluar zonën në një perimetër të gjerë.