Futboll

Neziri vazhdon kontratën me St. Gallenin, huazohet te Wili

Behar Neziri

Mesfushori i Përfaqësueses U21 të Kosovës, Behar Neziri, e ka vazhduar edhe për një vit kontratën me klubin elitar të Zvicrës, St. Gallen. Klubi i Superligës së Zvicrës njoftoi të hënën mbrëma se e ka huazuar menjëherë te skuadra e Wilit, që garon në Kategorinë e Dytë të Zvicrës. 

“Behari është një lojtar i talentuar. Ai është i qetë me topin dhe ka një pasqyrë të mirë të lojës. Në Wil ai mund të provoj veten në nivelin tjetër dhe të bëj përparim në karrierë. Ne do ta ndjekim nga afër beharin. I urojmë shumë suksese dhe në të njëjtën kohë e falënderojmë Wilin për bashkëpunim”, ka thënë drejtori sportiv i St. Gallenit, Roger Stilz. 

Neziri e nisi karrierën e tij futbollistike në ekipin e të rinjve të Augsburgut para se t’i bashkohej Akademisë së Bayern Muenchenit. Ai kaloi të gjitha grupmoshat te Bayerni, ndërsa luajti edhe për ekipin U21 të gjigantit gjerman. Neziri ishte në përgatitje me ekipin e parë të St. Gallenit për edicionin aktual të Superligës së Zvicrës. Për Kosovën U21 ka luajtur gjashtë ndeshje.